Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, ish Kryeministri i Danimarkës Anders Fogh Rasmussen u shpreh për zhvillimin e partneritetit të vërtetë strategjik me Rusinë. Mbi atë, se si të arrihet ky qëllim aspak i thjeshtë ai tregoi në intervistën e vet të parë dhënë mjeteve ruse të informimit masiv. Gazeta “Vremia novostei” përmend fjalët e zotit Rasmussen: “Në ditën e parë të punës në selinë e Aleancës në Bruksel unë vërtet i quajta marrëdhëniet midis NATO-s dhe Rusisë si një nga prioritetet tona kryesore. Mbi bazë të kësaj qendron logjika e thjeshtë: duke punuar së bashku ne mund të forcojmë sigurinë e të gjitha vendeve të Këshillit Rusi-NATO, ndërsa duke debatuar e mos u pajtuar me mendimet e njëri-tjetrit ne humbasim mundësitë e favorshme që na krijohen. Nuk ka pikë kuptimi të shtiremi sikur në lidhje me të gjitha problemet ekzistuese mendimet tona përkojnë. Askush nuk pret që NATO, ashtu, pa pritur e pa kujtuar, të pranojë idenë që ka të bëjë me sferat e ndikimit apo të bekojë shkeljen e tërësisë territoriale të ndonjë shtetit sovran. Kjo do të binte në kundërshtim të plotë me parimet mbi të cilat mbështeten themelet e konstruksionit të Aleancës sonë. Unë jam njeri pragmatik dhe dyshoj shumë në lidhje me atë, se Rusia do të bëhet entuziaste e zgjerimit të NATO-s. Por në dorën tonë është përmirësimi i marrëdhënieve, drejtimi i tyre në brazdë më praktike. Me fjalë të tjera, NATO nuk e ka përjashtuar kurrë anëtarësimin e Rusisë në gjirin e saj. Por në etapën aktuale kjo është një çështje, thjesht, hipotetike. Rusia deklaroi fare qartë, se ajo nuk mbart kurrëfarë planesh e synimesh për të paraqitur kërkesën për anëtarësim në Aleancë. Edhe unë, si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, do të preferoja të mos ndërtoja hipoteza e supozime në lidhje me këtë. Siç thonë rusët: “Të rrojmë e të shohim”.


Komentimi i artikullit të ditës


Historia me mundësinë e hyrjes së Rusisë në përbërjen e NATO është e hershme, — thotë Zëvendës drejtori i Institutit rus të SHBA-s dhe Kanadasë, gjeneral-majori Pavell Zollotarjov: “Kur NATO ishte një konstruksion në organizim e sipër një ide e tillë mbartej nga Presidenti amerikan Eisenhower. Por europianët u trembën dhe i vunë Rusisë disa kushte. Në veçanti, që të largonte në atë etapë historike trupat e veta nga Austria. Në vitet 90-të edhe Presidenti rus, edhe të gjithë sekretarët e përgjithshëm të Aleancës e kanë hedhur periodikisht këtë temë në qarkullim duke testuar me këtë mendimin e opinionit publik. Në parim, unë mendoj, se kjo është në interes të Rusisë. Duke patur një territor të tillë kaq të madh dhe Kinën nën brinjë me potencialin e fuqishëm ushtarak dhe rezervat mobilizuese të saj, garantimi i sigurisë vetiake, pa hyrë në sistemin kolektiv të sigurimit, është tepër e vështirë. Tjetër punë është ajo, se NATO tani për tani nuk është pikërisht organizata e aftë që të garantojë nivelin e duhur të sigurisë kolektive. Dhe është e vështirë të thuhet me saktësi se kur do të jetë ajo e aftë për këtë”, konkludon Pavell Zollotarjov.