Menjëherë pas hyrjes së vet në detyrën e re Sekretari i Përgjithshëm i ri i NATO-s Anders Fogh Rasmussen bëri disa deklarata, në të cilat përcaktoi politikën e re dhe prioritetet e reja të Aleancës VeriAtlantike. Temën në fjalë e shtjellon më tej në komentin e vet vëzhguesi i pavarur Boris Tumanov. Sipas fjalëve të zotit Rasmussen, NATO ka ndërmend që këtej e tutje ti përqendrojë përpjekjet e veta në operacionin në Afganistan dhe në realizimin e reformës së brendshme të thellë të kësaj organizate. Ai theksoi gjithashtu synimin e vet të vendosur për të ndihmuar në çështjen e zhvillimit stabil të marrëdhënieve me Rusinë, e cila është sipas pikëpamjes së tij një partnere e rëndësishme strategjike, veçanërisht në luftën kundër terrorizmit. Rikthimi tek bashkëpunimi aktiv midis NATO-s dhe Rusisë ka për të një rëndësi të veçantë, prandaj Sekretari i ri i Përgjithshëm i Aleancës e shtyu anëtarësimin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë, në fakt, pa e refuzuar atë në parim, për një të ardhme të papërcaktuar. Në qoftë se do të flasim mbi aspektet praktike të bashkëpunimit ruso-natovian, duhet thënë, se ai mund të ishte shumë i dobishëm, para së gjithash, në fushatën afgane të NATO-s. Vendimi i paradokohshëm i Rusisë për të bërë më të lehtë transitin e mallrave ushtarake për në Afganistan ishte tejet i dobishëm në situatën kur humbjet serioze që pësuan atje kohët e fundit trupat e NATO-s filluan të shkaktojnë protestë të hapur në gjirin e opinionit publik europian. Sipas mendimit të Dimitri Rogozinit, Përfaqësuesit të përhershëm të Rusisë pranë NATO-s, me ardhjen e zotit Rasmussen në postin e Sekretarit të Përgjithshëm politika e Aleancës mund të bëhet më e parashikueshme. Në Moskë po shfaqin një interesim mjaft të madh ndaj atyre ndryshimeve që zoti Rasmussen ka ndërmend të bëjë në konceptin e NATO-s, të miratuar 10 vjet më parë, dhe, para së gjithash, në kriterin e zgjerimit të mundshëm të Aleancës.