Një vit pas vdekjes së laureatit të Çmimit NOBEL, shkrimtarit Aleksandër Sollzhenjicin do të tingëllojnë 2 intervista të veprimtarëve kulturorë rusë. Specialistja në fushën e letërsisë Ljudmilla Saraskina kujtoi, se në vitin 1962, në revistën «Новый мир» (“Bota e re”) doli në dritë novela e tij me titull “Një ditë e Ivan Denisoviçit”. Autori atëhere ishte 44 vjeç: “Një eksperiment më të pastër se ky letërsia nuk ka njohur kurrë ndonjëherë më parë: autori nuk kishte fituar emër, atë nuk e njihte askush si njeri, njëfarë mister “X”, në Moskë atë nuk e kishte parë kërkush, ai ishte enigmë, — thotë Ljudmilla Saraskina. - Por, ja, u duk teksti i tij dhe vetë FJALA ia hapi rrugën vetes! Tregimi i tronditi thellë në shpirt lexuesit në vetë Bashkimin Sovjetik dhe jashtë shtetit me forcën e vet të paparë artistike. Në të nuk ka kurrëfarë skenash të llahtarshme përkatësisht të burgosurve të GULAGUT, në këtë novelë është përshkruar një ditë e zakonshme e një njeriu të zakonshëm. Por një gjë ishte më se e qartë në të: se ai ishte njeri i mirë. Dhe tek çdo lexues lind natyrshëm pyetja: po përse ai u ndosh pas hekurave të burgut? Dhe ndoshta është i destinuar bile të humbasë edhe jetën! Novela u bë dënim me vdekje për regjimin stalinist. Por në se konsiston vetë fenomeni i personalitetit të Sollzhenicinit? Ai përcaktoi për vete formulën: “Ta jetojë pa gënjeshtër jetën e vet!” Dhe i është përmbajtur gjithmonë në mënyrë rigoroze asaj në çfarëdolloj rrethanash. E kush do të mund ta bënte dot një gjë të tillë? Unë nuk e di. Ai ishte njeri që i përkiste racës së titanëve”. Kështu mendon Ljudmilla Saraskina, autore e librit “Aleksandër Sollzhenjicin: biografia vazhdon”. Aktori Aleksandër Filippenko, autori i vënies në skenë të monospektaklit sipas motiveve të tregimit “Një ditë e Ivan Denisoviçit”, këto ditë e shfaqi atë përpara shikuesve të rinj në teatrin moskovit “Praktika”: “Më tepër se dy orë vazhdon ky spektakël pa antrakt. Pas supeve të mia është varur një hartë shumë e madhe e GULAG-ut, - tregon aktori. - Fillimisht unë lexoj, si epigraf, fjalët e autorit të novelës: “Shpalosni hartën gjigande të Rusisë, vini pika të zeza mbi të gjitha qytetet rajonale, mbi të gjitha pikat e kalimit transit, atje ku merr kthesat lumi ose ku fillon rrugëza e këmbësorëve. E ç’do të vëreni pak kësaj në hartë? Ajo është e mbushur e tëra me pika që nxijnë! Ky dhe është Arkipelagu GULAG ku kanë gjetur vdekjen miliona njerëz të pafajshëm”. Më pas unë vazhdoj të lexoj novelën. A e dini? Shumë nga shikuesit e rinj nuk dinë asgjë për GULAG-un, nuk besojnë dot se një gjë e tillë është e mundur! Por proza e Sollzhenicinit është mjaft bindëse në thjeshtësinë e vet. Nga ajo buron energjia e fuqishme e së vërtetës! Dhe në fund të spektaklit unë pashë lot në sytë e shikuesve. Sollzhenjicini u nderua me Çmimin NOBEL për forcën morale me të cilën ai vazhdoi traditën e letërsisë së madhe ruse. Ai diti të ruajë të pacënuar lirinë brenda shpirtit të vet, të mbetet njeri i pavarur, kur, do të dukej, sikur një gjë e tillë ishte, thjesht, e pamundur. Pikërisht në guximin dhe forcën e pashterrshme morale e shikoj unë thelbin kryesor të personalitetit të Aleksandër Sollzhenjicinit, autorit të romaneve “Në rrethin e parë”, “Pavioni i kancerozëve”, studimit historik “Rrota e kuqe” si dhe shumë e shumë librave të tjerë të tij. Unë jam krenar që kam jetuar në epokën e Sollzhenjicinit, shprehet aktori Aleksandër Filippenko, regjizor i monospektaklit të vënë në skenë sipas motiveve të novelës “Një ditë e Ivan Denisoviçit”. Intervitat e sipërpërmendura i realizoi për “Zërin e Rusisë” Irina Çaiko.