Zëri i Rusisë Një nga ngjarjet, evenimentet, mund të thuhet, më të rëndësishme historike të periudhës së fundit të shekullit të XX-të u bë rënia e Murit të Berlinit - mishërimi në konstruksion betoni i “perdes së hekurt” që pat ndarë për disa dhjetra vjeçarë me radhë botën në “miq” dhe “armiq”. Ky eveniment shënoi fundin e “luftës së ftohtë”. Ja se ç’thotë veprimtari i autoritetshëm shoqëror i asaj periudhe, historiani Jurij Afanasjev: “20 vjet më parë ndodhën dukuri të thella që dëshmonin mbi krizën e sistemit socialist, kujton Jurij Afanasjev. Proceset e ndërlikuara dhe kontradiktore viheshin re, praktikisht, në të gjitha vendet e bllokut socialist, por në kohë të ndryshme dhe forma të ndryshme. Kulminacionet dhe rëniet e aktivizimit politik përcaktoheshin në hartën e Europës në mënyrë aspak të barabartë, kaotike. Pa dyshim që në këto procese ushtroi një ndikim shumë të fortë Perestrojka e Gorbaçovit. Sepse ajo krijoi kushtet e favorshme të jashtme për transformimin e rendit social në shumë vende, kurse demokratizimi mori një karakter të pakthyeshëm. Mjaft politikanë, pa dyshim, nuk pajtoheshin dot me ritmet e ngadalta të kalimit tek liria dhe hynin në dyluftim me ithtarët e rinovimit të vendosur të sistemit, në një kohë kur kryesorja ishte demontimi i tij paqësor. Sepse bile edhe SHBA-s dhe demokracitë perëndimore ia kishin frikën kaosit dhe ndryshimit të theksuar, të menjëhershëm të raportit të forcave”, vuri në dukje historiani rus. Këtë e përsëriti edhe një herë ish Presidenti i Bashkimit Sovjetik Mihaill Gorbaçov në ekspozitën që u hap në Manjezhin e Moskës kushtuar 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit: “Mua më gëzon pa masë, para së gjithash, se më në fund midis rusëve dhe gjermanëve u vendos paqja, sepse popujt tanë përjetuan “kasaphanën”, dhe ai fakt, se në këtë ekspozitë janë të pranishëm nga ana jonë veteranët e Luftës së Madhe Patriotike, është mjaft simbolik, vuri në dukje Mihaill Gorbaçov. - Ndërkohë, kujton ish Presidenti i Bashkimit Sovjetik, vendi ynë ishte plotësisht i gatshëm të perceptonte, të pranonte proceset që po ndodhnin në Europë, që zhvilloheshin në mënyrë tejet dinamike. Gjatë kohës së vizitës sime në Gjermani, ishte e domosdoshme të zgjidhej i ashtuquajturi “Problem i Berlinit” dhe në kohën e vet ekzistonte mendimi, se kjo është punë e shekullit të XX-të! Në të vërtetë problemi në fjalë u zgjidh pas 4 muajsh, megjithëse kundër bashkimit të Gjermanisë ishin shumë veprimtarë të nivelit shtetëror në Europën Perëndimore, midis të cilëve edhe Margaret Thatcher, kurse François Mitterrand bile tha, se “ne i duam kaq fort gjermanët, sa që dëshirojmë shumë që ata të kenë 2 Gjermani”. Vërtet, politika e Gorbaçovit ndikoi në mënyrë fundamentale, rrënjësore në punët botërore, ndryshoi në vektorin pozitiv fatin e dhjetra vendeve dhe popujve. Ajo çoi gjithashtu në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe shembjen e sistemit të marrëdhënieve aleate të tij me shtetet e tjera. Siç kanë shkruar në librin me titull “Gorbaçov, korrespondenca e atyre që përjetuan Perestrojkën” autorët e tij Olga Dergaç dhe Vlladisllav Bikov: “Gorbaçovi shqiti dërrasat me të cilat ishte mbyllur qorrazi dritarja për në Europë, fshiu nga faqja e dheut edhe perden “ e hekurt”, edhe atë “të gurtë” në formën e Murit të Berlinit”.