Zëri i Rusisë  

Svetllana Horkina. Në vitin 2003 në Anaheim të SHBA-s ajo fitoi titullin e vet të tretë të kampiones absolute botërore në disiplinën sportive të gjimnastikës artistike. Dy herë ajo ka fituar titullin e kampiones olimpike.
Anëtare e Partisë “Rusia Unike” dhe deputete e Dumës Shtetërore. Atë e quajnë gjithashtu edhe “klon të Uma Thurmand” dhe gati si sportisten e parë ruse që mori guximin të pozojë për revistën “Playboy”. Kur ajo viziton qytetin e vet të lindjes mund të shkojë edhe tek monumenti i ngritur për nder të saj. I biri i Svetllanës është nënshtetas i SHBA-s, sipas faktit të lindjes atje. Emri i babait të tij është shkas për thashetheme e supozime nga më pikantet.
   Svetllana lindi në qytetin Bjellgorod në vitin 1979 në familjen e një punëtori të thjeshtë dhe një infermjereje. Në fëmijëri ishte shumë çapkëne, kokëkrisur, por sëmurej shpesh. Dhe mjekët i rekomanduan asaj të fillojë të merret me sport.
   “Mua më pëlqen jashtë mase të luaj! Në platformën e gjimnastikës, përpara telekamerave. Jam e dëshiruar të luaj aktoren. Adhuroj mikrofonat, dritën verbuese të proxhektorëve, shumë kamera rreth e rrotull meje. Shkëlqimin!”, - thotë për veten Svetllana. Aktori dhe regjizori i njohur Sergei Vinogradov e ka pritur plot 6 vjet Horkinën - që nga koha e Olimpiadës në Atlantë me qëllim që ajo të luante rolin kryesor në spektaklin e tij “Venus” mbi dashurinë e fundit dhe më kryesore në jetën e shkrimtarit Henry Miller me artisten e Holivudit Brenda Venus. Dhe regjizori nuk gaboi aspak. Ai ndjeu dhe vuri re tek sportistja një aktore të spikatur mjaft energjike.
   Karrierën sportive Svetllana e përfundoi në vjeshtë të vitit 2004 pas lindjes së djalit, të cilit i vuri emrin Svjatosllav. Mbasi u bë nënë ajo vendosi se e realizoi plotësisht veten në sport dhe se mund të ndihmojë tani në nivel legjislativ avancimin e tij në Rusi. Prandaj dhe u bë në vitin 2007 deputete e Dumës Shtetërore të Federatës Ruse.
   “Nuk e di nëse do të më besoni apo jo, tregon Svetllana, por shumë shpesh shoh në ëndërr sikur stërvitem në sallën sportive. Shokët e miqtë më thonë, sikur, gjoja në mënyrë inkoshiente unë po përgatitem për tu rikthyer në sportin e madh. Jo. Kjo nuk do të ndodhë, sepse tani unë kam një fëmijë të vogël. Po, deri përpara lindjes së Svjatosllavit sporti ishte për mua i vetmi kuptim i jetës. Ndërsa aktualisht çdo gjë ka ndryshuar. Tani unë do të jetoj për fëmijën”.
   Svetllana ka “etje” të papërmbajtur për të fituar njohuri të reja, prandaj dhe po vazhdon shkollën e dytë të lartë. Ndërsa ndaj veprimtarisë në Dumën Shtetërore sillet me gjithë seriozitetin e duhur. Megjithëse në Internet herë pas here duken fotografi të saj të bëra gjatë mbledhjeve në Dumë, në të cilat ajo është paraqitur duke shtrembëruar në mënyrë komike fytyrën, duke rregulluar fjongot ose duke imituar lepurushin.
   Pak kohë më parë, duke marrë fjalën në mbledhjen e Këshillit Shtetëror për politikën e rinisë, Dimitri Medvediev e propozoi kandidaturën e Svetllana Horkinës për në postin e guvernatores. Presidenti, sipas fjalëve të dëshmitarëve okularë dhe përfaqësuesve të shtypit, bëri shaka. Por siç thonë tek ne: “Në çdo shaka, ka një pjesë të vërtete”. Svetllana nuk mënoi aspak të shprehet se e quan propozimin “shumë ledhatar për veshin”, por e kupton për mrekulli “ … se për këtë duhet të mësosh shumë. Sepse unë kam se ku të synoj dhe kë të marr si etalon. Femrat politikane në vendin tonë arrijnë suksese të mëdha dhe njëlloj me burrat zgjidhin detyrat shtetërore”, - e tillë ishte përgjigjja e kampiones olimpike dhe deputetes së Dumës Shtetërore Svetllana Horkina.