Zëri i Rusisë Parlamentarët janë të detyruar që të shtyjnë për më vonë lejet e veta verore me qëllim që të shqyrtojnë në regjim imediat ligjin, i cili do tu lejojë instituteve shkencore të krijojnë ndërmarrje të vogla mbi bazë të novatorizmave. Siç shkruan botimi “Rossijskaja gazeta”, për miratimin e tij sa më të shpejtë u shpreh në vigjilje Presidenti Dimitri Medvediev. Sipas mendimit të tij, ligji destinohet të mbështesë të diplomuarit e universiteteve, të cilët në kushtet e krizës provojnë vështirësi të mëdha në lidhje me punësimin. Lufta rreth ligjit në fjalë është zhvilluar për disa vite me radhë. Sipas mendimit të përkrahësve të tij, krijohej një situatë e tillë paradoksale: autorët e përpunimeve shkencore, të realizuara brenda mureve të instituteve shtetërore, nuk kishin të drejtë të shndërronin në mall këtë pasuri intelektuale dhe të merreshin me veprimtari komerciale në sferën e teknologjive të larta. Në një situatë të tillë kalimi në ekonominë e bazuar mbi novatorizmat dukej vetëm si një dëshirë e mirë, jo më tepër se kaq. Në Rusi zinxhiri i novacioneve doli i këputur: sepse midis shkencës dhe industrisë mungon hallka ndërlidhëse — ndërmarrjet e vogla. Debatet vazhdonin për vite e vite të tëra me radhë, ndërsa gjatë kësaj kohe shumica e projekteve me mjaft perspektivë të shkencëtarëve rusë me të gjitha mënyrat e vërteta e të pa vërteta u ndodhën jashtë shtetit, dhe duhet thënë, për pesë para. Tani kjo barrierë mund të eliminohet.


Komentimi i artikullit të ditës


Drejtori i Institutit të Bashkuar të Studimeve Bërthamore, akademiku Aleksei Sisakjan shprehet në lidhje me degët e shkencës vendase më të leverdisshme për nga pikëpamja komerciale: “Ne kemi qenë gjithmonë shumë të suksesshëm e të përparuar në fushën e fizikës bërthamore, të projekteve kozmike, atë të teknologjitë informative. Të gjitha këto sfera të sipërpërmendura do të lejojnë në masë të plotë të ndihet dobia nga shkenca fundamentale kur ajo të bashkohet me mjekësinë dhe biologjinë. Në Rusi duhet të krijohen megaprojekte: përshpejtuesish, reaktorësh, stacionesh kozmike, observatorësh e kështu me radhë… Pa këtë shkencëtari nuk mund të deklarojë dot për veten në fushën e shkencës. Dhe ne duhet të kemi medoemos mundësi të tilla. Atëhere shkencëtarët e rinj nuk do të largohen më nga vendi”, konkludon akademiku Aleksei Sisakjan.