Zëri i Rusisë 65 vjet më parë Ushtria Sovjetike çliroi të burgosurit e kampit nazist të përqendrimit Maidanek në territorin e Polonisë së pushtuar. Ajo ishte “fabrika e parë e vdekjes” prej nga ku u arrit të dëbohen nazistët. Dhe e gjithë bota pa atëhere një tabllo të lahtarshme… Natën e 22 korrikut në të gdhirë të datës 23 të vitit 1944 trupat e frontit të I-rë Bjellorus nën komandën e Konstantin Rokosovskit liruan në periferitë e Lublinit më tepër se 1000 të burgosur të njërit prej 6 kampeve të shfarosjes në territorin e Polonisë. Gjatë tërheqjes së vet gjermanët u përpoqën të fshijnë, të likuidojnë gjurmët e krimeve të veta, por nuk arritën dot ta bënin këtë. Ajo që mbeti pas largimit të tyre të detyruar mjaftoi plotësisht për të shokuar, për të tronditur deri në thellësi të shpirtit bile dhe ushtarët luftëtarë çlirimtarë, të cilët, do të dukej, se kishin kaluar nëpër të gjitha tmerret e luftës e s’mund ti habisje më me asgjë. Dhoma e gazit, krematoriumet, male të tëra me këpucë dhe veshje të viktimave. Një pirg i madh me dokumentet e të burgosurve, që u arrit të shpëtohen nga likuidimi, u bë me të vërtetë një kodërvarr letrash për gjithë Europën. Qindra mijëra hebrenj, polakë, ushtarakë sovjetikë dhe pjesëmarrës të Lëvizjes së Rezistencës nga shumë vende të Europës u ngujuan në Maidanek. Sipas të dhënave të bëra publike në Procesin e Nurenbergut, nazistët shfarosën atje rreth 1 milion e 500 mijë njerëz të kombësive të ndryshme. Dhe të gjithë fajtorët morrën dënimin e merituar. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, duke ndjerë afrimin e vdekjes së pashmangshme të Third Reich (Rajhut të Tretë), shumë kriminelë nazistë ua mbathën këmbëve në Amerikë. Duke fshehur me shumë kujdes të kaluarën e tyre kriminale, ata arritën të marrin nënshtetësi të re dhe u përpoqën të shkrihen midis popullsisë së vendit të huaj. Dëshmitë e dokumentuara të bëmave, mënzyrave të veta ata i zhdukën me mjaft mjeshtëri, ndërsa dëshmitarë të gjallë okularë edhe atëhere mbetën shumë pak. Kurse me kalimin e kohës të tillë mbetën për tu numëruar me gisht. Por, ngandonjëherë, ata bien megjithatë në dorën e pamëshirshme të drejtësisë edhe me kalimin e shumë e shumë viteve. Në tetor të këtij viti në Gjermani do të zhvillohet procesi gjyqësor ndaj Ivan Demjanjuk-ut me origjinë ukrainase. Ai akuzohet për pjesëmarrje në ekzekutimin e mijëra të burgosurve të kampit të përqendrimit Sobibor, ku ai pat shërbyer si gardian pasi kaloi në anën e Hitlerit. Pas mbarimit të luftës ai ua mbathi këmbëve për në SHBA-s, ku dhe pat jetuar për shumë vite me radhë. Por tani, kur hetimi konfirmoi me prova të pamohueshme bëmat makabre të këtij krimineli, Demjanjuku u ekstradua me qëllim që të dalë përpara gjyqit. Këtë e kërkojnë nga njerëzit që jetojnë aktualisht viktimat e panumërta të nazizmit. Por jo rrallëherë këto kohët e fundit ne ndeshemi me përpjekjet që ndërmerren për rishikimin e historisë. Lind një masë e tërë pseudostudimesh, të cilat ndjekin si qëllim ta quajnë të zezën-të bardhë, kriminelin-hero. Dhe, ja, tani emrat e SS-ve janë gdhendur në pllakat përkujtimore, ndërsa viktimat e nazizmit njejtësohen me viktimat e regjimit stalinian. Sipas mendimit të historianit Vladimir Simindei, pohime të tilla dëshmojnë mbi porosinë politike për falsifikimin e historisë: “Në këtë lëmë nuk ka ndofarë zbulimesh të reja shkencore: nuk mund të shpallen të gjallë ata njerëz të cilët u shfarosën në krematoriumet e Maidanekut. Këtu ka vend përpjekja për të lënë në harresë faktin se në ç’mënyrë u çlirua ky kamp përqendrimi, kush flijoi jetën në altarin e fitores dhe se me ndihmën e kujt u vendos paqja. Synime dhe veprime të tilla kanë një karakter të padiskutueshëm politik dhe janë të mbarsura me lindjen e qëllimeve për vënien e shenjës së brazimit midis ushtarëve sovjetikë dhe atyre nazistë, midis Bashkimit Sovjetik dhe Rajhut të Tretë. Kjo është një tendencë tej mase pikëlluese. Ajo mund ta fusë në një udhë pa krye Europën. Në qoftë se Europa nuk arrin të bëjë më dot dallimin midis nazizmit dhe komunizmit, kjo do të thotë se ajo nuk i ka përvetësuar mirë, në masë të plotë, mësimet e lidhura me nazizmin. Maidanek, Sobibor, Treblinka, Helmno, Osvencim: këta nuk janë, thjesht, emra kampesh përqendrimi. Çdonjëri nga ata është simbol barbarizmi dhe urrejtjeje dhe simbol i veprës heroike të ushtarëve-çlirimtarë sovjetikë, të cilët flijuan jetën e vet për hir të shpëtimit të jetëve të tjera. Dhe detyrë e pasardhësve të tyre është të mos lejojnë në kurrëfarë mënyre lënien në harresë të kujtimit të tyre të ndritur. Nazizmi që u mposht njëherë nuk duhet të ngrejë më kryet, të triumfojë.