Zëri i Rusisë  

Filmi i tij “1612” bëri shumë zhurmë e bujë: Vladimirin e akuzuan për atë, se xhiroi një gjë krejtësisht kitch (pa shije, pa kurrëfarë vlere) antipolake me porosi të Kremlinit. Kurse ai reagonte me të qeshur ndaj kësaj: “Histeria që ka shpërthyer rreth këtij filmi është thjesht klinike-ata që e bëjnë këtë duhet ti drejtohen fillimisht mjekëve përkatës dhe vetëm pas kësaj të marrin guximin të shkruajnë”… Edhe në vetë Poloni nuk puna kaloi pa skandal. Por megjithatë filmin e blenë dhe e shfaqën në mbarë vendin.
Vladimir Hotinenko lindi në vitin 1952 në qytetin Sllavgorod të krahinës së Altait. Ndoqi studimet e larta dhe mori diplomën e arkitektit në Sverdllovsk. “Unë mund të kisha gjetur një qoshe të rehatshme e të paguar fort mirë menjëherë pasi mbarova institutin, - thotë regjizori, - kisha, në kuptimin e plotë të fjalës, gjithçka të nevojshme në jetë! Përveç vetërealizimit …Sepse unë isha i dhënë me shumë pasion pas avangardit, ndërsa ky ishte një drejtim pa perspektiva tek ne”. Si përfundim, që të mos shlyeja tre vjet punë (stazh) vendosa të kryeja shërbimin ushtarak - në trupat e shoqërimit. “Udhëton në vagonin e trenit - përtej ndarjes me hekura janë të burgosurit. Ndër ta ka Sokratë të tillë që të ikën mendja! Po ç’biseda që janë të aftë të zhvillojnë këta filozofë! Por sapo ti humbet sadopak vigjilencën, të vranë! Ndërsa për bëmat e të burgosurve, sipas fjalëve të regjizorit, do të ishte më mirë të shkruaje libra, ndërsa akoma dhe më mirë të xhiroje filma. “Jeta ime do të kishte qenë jo e plotë pa shërbimin ushtarak, - shprehet me bindje ai. - Atje unë arrita të kuptoj rregullat e lojës edhe jashtë, edhe brenda hekurave të burgut”. Ndërsa ndaj pyetjes së kureshtarëve “a mund të vrisnit ju vetë ndokënd ?”, i përgjigjet me bindje “po”.
  Në moshën 29 vjeçare Hotinenko fillon të ndjekë Kurset e larta të specialistëve dhe regjizorëve në studion e Nikita Mihallkovit. Që nga ajo kohë e quan atë mësuesin e vet në të gjitha kuptimet, ndërsa tani edhe vetë jep si pedagog lëndën e regjisë së filmit artistik. Ai shumë shpesh “godet mu në shënjestër” (“i bie pikës”): filmat e tij ngjallin diskutime e debate të gjalla dhe bile përplasje mendimesh, mbledhin salla plot e përplot me shikues, fitojnë çmime nëpër festivale. “Makarovi”, Myslimani”, “72 metra”…Ky i fundit, i cili i kushtohet marinarëve të nëndetëseve, u bë një hit i vërtetë edhe në sallat e kinemave, edhe në eterin televiziv. Kurse muzikën për këtë film e shkroi vetë i famshmi Ennio Morricone. “Ishte një shfaqje kurajoje arrogante të merrje e të ftoje paturpësisht vetë Morriconen, - kujton Vladimir Hotinenko. - Por producentët nuk u stepën, nuk u trembën aspak. Unë i shkrova afërsisht këto fjalë atij: “Vendi im ka shumë nevojë tani për bukuri dhe shpresë - ndërsa të gjitha këto janë prezente, jetojnë në muzikën tuaj”. Tani regjizori dhe kompozitori kanë lidhur miqësi midis tyre.
  Hotinenkon, në përgjithësi, e duan në Itali. Ndoshta dhe për vetë faktin se ai është pa mend nga Italia. Kurse Vatikani në shenjë respekti e nderimi i organizoi atij së bashku me mikun e tij Kshishtof Zanussi një audiencë tek Papa i Romës për filmin me titull “Pelegrimazhi. Qyteti i Përjetshëm”.
  Hotinenko aktualisht është regjizor shumë i kërkuar dhe përherë në qendër të vemendjes. Kësaj dhe ia kanë zilinë shumë persona, të cilët e akuzojnë atë për “patriotizëm dhe konjiukturë të tepruar”, për zotërim pasurie përrallore. Ndaj kësaj ai reagon me një buzëqeshje ironike: “Unë nuk kam shtëpi në Rublovkë. Nuk kam as makinë dhe as daçë. Por pavarësisht nga këto unë mund ti lejoj vetës së bashku me gruan të shkoj ku të dua dhe kur të dua …”
  Bashkëshorten e vet, Tatianën, ai e takoi në një stacion hekurudhor. “Unë në ato momente po përjetoja një periudhë shumë të vështirë në jetën time, - kujton Hotinenko. - Po nisesha me tren për në Talin. I mbytur në dëshpërim të thellë qendroja i mbështetur tek dritarja e vagonit kur papritur shoh një grua në platformë. Dhe në atë moment e kuptova se ajo ishte fati im - ose unë do ta ndërroja jetën time tani, ose kurrë më. Dhe unë u hodha me shpejtësi nga vagoni i trenit që po nisej për udhë me fishkëllimë.
  “Unë besoj tek fati, sqaron Vladimir Hotinenko, - dhe prandaj mundohem të mos i lë jashtë vemendjes kallëzimet, shenjat e tij”.