Zëri i Rusisë  

Regjizore, skenariste, aktore. Ajo hyri në botën e kinematografisë ruse si femra më ekstravagante. Gazetarët e kanë quajtur atë “grua-vamp”. Me flokë ngjyrë platini, lëkurë të mermertë, me buzë gjak të kuqe, me seksualitet të hipertrofizuar… Renatën ose e duan fort deri në adhurim, ose nuk e pranojnë, nuk e onepsin fare. Mënyra e saj e të gjestikuluarit dhe e të folurit është kaq e panatyrshme, e stisur, sa që është shndërruar në stil individual tashmë dhe është bërë objekt i preferuar për parodi humoristike në Televizion.
Renata është një grua e tillë që ruan besnikërisht gjithmonë tipazhin e vet edhe në jetë, edhe në skenë”, thonë kolegët e saj. Por mendimi i njerëzve që e rrethojnë nuk e preokupon fort atë: “Më mirë të jesh objekt zilie, se sa keqardhjeje. Unë jam njeri i përqendruar në vetvete, i abstraguar”, përgjigjet ajo.
Renata ka luajtur në mëse 20 filma dhe ka shkruar rreth 30 skenarë. Kryesisht ato i kushtohen historive tragjike mbi jetën dhe vdekjen. Për të këto gjëra janë më kryesoret: “Dashuria është narkotiku më i fortë në botë, i cili herët a vonë i krijon në mënyrë të pashmangshme çdo njeriu varësi nga vetja. Kurse vdekja na kujton gjithmonë ne se jeta na është dhënë, na është falur për të nxituar dhe për të arritur pikësynimet tona”- u shpjegon Renata filozofinë e vet atyre që nuk arrijnë ta kuptojnë dot atë. Të gjitha heroinat e skenarëve të saj janë paksa të marra, të paarsyeshme, të çuditshme, mund të thuhet, dhe ato ajo preferon ti luajë vetë meqenëse e di fort mirë se askush tjetër nuk mund të hyjë në rol më mirë se ajo.
Renata Litvinova lindi në një familje mjekësh në vitin 1967 në Moskë. “Babai nuk jetonte me ne dhe unë e përjetoja në mënyrë mjaft të dhimbshme këtë fakt. Ngandonjëherë bile dhe varja në korridor xhupin e tij me qëllim që të krijohej iluzioni i prezencës së mashkullit në shtëpi”- tregon ajo. Në shkollë bëja pjesë në kategorinë e nxënëseve të mira, “por megjithatë gjithmonë brenda meje rebelohej ndjenja për të ikur me vrap nga këta mësues dhe nxënës. Në shtëpi unë shkruaja tregime dhe lexoja shumë. Mamaja kishte në bibliotekën e saj Enciklopedinë e madhe mjekësore. Mbaj mend se si midis faqeve të saj ishin vendosur disqe regjistrimi, si mjete mësimi, konkretizimi, p.sh., “Përçartje skizofrenike”… Të gjitha këto unë i studjoja me interes të veçantë, me shumë dëshirë”-pranon ajo.
Pavarësisht nga fama, popullariteti që gëzon, Renata është njeri mjaft i mbyllur: “Brenda në shpirtin tim nuk lejoj askënd që të hyjë, bile as veten”, thotë ajo. Në lidhje me bashkëshortin e parë, i cili është regjizor kinematografik, ajo nuk i lejon kurrë vetes të shprehë ndonjë opinion. Me burrin e dytë Renata u nda pak kohë më parë. Gjatë procesit të divorcimit bashkëshorti u përpoq ti mohonte asaj të drejtat prindërore mbi fëmijën duke ndjekur si qëllim që vajza e tyre 8 vjeçare të mbetej me të. Por gjyqi vendosi megjithatë t’ia lërë fëmijën mamasë. Shkak i ndarjes, siç shkruanin mjetet e informimit masiv, u bë “miqësia” fort e ngushtë e aktores me këngëtaren e njohur Zemfira. Ndërsa vetë Renata, thotë, se kjo nuk është gjë tjetër veçse një lidhje, bashkim krijues. Por gjatë kësaj në të gjitha mbrëmjet e tubimet mikeshat e pandara vijnë gjithmonë bashkë. Para pak kohësh Renata xhiroi disa klipe dhe një film dokumentar mbi Zemfirën.
Aktualisht Renata është aktore e preferuar për shumë regjizorë rusë me emër. “Me të punohet lehtë, për mrekulli në sheshin e xhirimit. Në çdo rol që luan ajo shfrytëzon origjinalitetetin e individualitetit personal. Dhe e bën këtë me shumë mjeshtëri, në mënyrë të menduar mirë, pa e kaluar masën”, tregonte Aleksandër Mitta, kur Renata xhirohej në filmin e tij “Kufiri. Roman tajge”. Në vitin 2002 për rolin e luajtur në të ajo u nderua me Çmimin Shtetëror të Federatës Ruse.