Zëri i Rusisë Zgjedhja e bërë në favor të turistëve rusë nga ana e shtetit hebre po justifikohet plotësisht. Sipas të dhënave të gazetës “Vremja novostei”, në maj Izraelin e vizituan 33 mijë turistë rusë, shifër kjo 10 % më e lartë se sa ajo e vitit të kaluar. Statistika u përmirësua dukshëm pas asaj kur midis Rusisë dhe Izraelit u anulua regjimi i vizave. Kjo gjë i shërbeu aktivizimit të turizmit.


***


Raportet “si tepër të sheqerosura”, me shifra të hiperbolizuara të Shtabit të Përgjithshëm mbi realizimin e planeve në lidhje me rekrutimin më të madh në numur të ushtarëve të rinj gjatë gjithë historisë së periudhës postsovjetike u pritën nga opinioni publik me njëfarë lloj mosbesimi të dukshëm, me dyshim të shoqëruar me parashikime të zymta. Siç konfirmon botimi “Nezavisimaja gazeta”, jo vetëm mbrojtësit e të drejtave të njeriut, por edhe drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme Ushtarake deklarojnë njëzëri se rritja e madhe, gati në tre herë, e numrit të rekrutëve të rinj në shërbimin ushtarak mund të provokojë rritjen e shkeljes së rregullave në radhët e efektivit të ushtrisë. Gjatë fushatës së rekrutimit të të rinjve për kryerjen e shërbimit ushtarak, radhët e ushtrisë u plotësuan me 305 mijë veta. Ushtria në këto vitet e afërta gati 80 % do të përbëhet nga të rinjtë. Atëhere ka shumë mundësi që politika e rinisë në vend të bëhet më efektive. Por në se do të jetë vallë efektive ajo edhe në forcat e armatosura, kjo mbetet nën pikëpyetje, përfundon botimi “Nezavisimaja gazeta”.


***


Botimi “Komsomolskaja pravda” njofton hollësitë e ngjarjes së jashtëzakonshme që ndodhi në metronë e Moskës. Gjatë kohës së ecjes së trenit makinisti i tij papritur humbi ndjenjat. Treni, për fat të mirë, ndaloi vetë. Funksionoi sistemi automatik i frenimit. Pasagjerët mbetën në tunel në ajrin mbytës pa qarkullim rreth 15 minuta. Asnjë nga pasagjerët nuk pësoi dëm. Në kabinën e makinistit në verë është zagushi e madhe, pasi atje mungon kondicioneri. Botimi “Komsomolskaja pravda” shkruan: para ndërrimit të turnit të gjithë makinistët e trenave të metrosë i nënshtrohen kontrollit mjekësor. Por, kur në kabinën e makinistit temperatura i kalon të 30 gradët, bile dhe njeriu plotësisht i shëndetshëm mund të humbasë ndjenjat.