Rusia tashmë ka Davosin e vet, njofton gazeta “Moskovskij komsomolec”. Në shtator në Jarosllavël do të mbahet Konferenca politike ndërkombëtare me temë: “Shteti bashkëkohor dhe siguria globale”. Aktiviteti në fjalë do të zhvillohet nën drejtimin e Presidentit Dimitri Medvediev. Ai destinohet të marrë një karakter të rregullt zhvillimi, të tillë, si p.sh., Klubi i Avianit apo seksioni politik i Forumit të Davosit. Gjithësej në Jarosllavël pritet të vijnë me tepër se 500 të ftuar: politikanë, shkencëtarë, përfaqësues të autoriteteve pushtetore. Tashmë është bërë e ditur, se kanë pranuar të marrin pjesë në këtë aktivitet shkencëtarë të tillë si sociologu i autoritetshëm dhe futurologu i famshëm amerikan Alvin Toffler, bashkatdhetari i tij, njëri nga përfaqësuesit kryesorë të mendimit të majtë shoqëror kontemporan, sociologu Immanuel Maurice Wallerstein, Drejtori i Institutit francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, organizatori i Klubit të Avianit Thierry de Montbrial. Do të marrin pjesë në të edhe përfaqësuesit e universiteteve Harvard, Yale dhe shumë universiteteve të tjerë të rëndësishëm të SHBA-s, qendrave arsimore dhe studimore të dëgjuara europiane. Janë ftuar gjithashtu edhe kryetarë shtetesh dhe politikanë me emër botëror. Vendi i zhvillimit të Forumit të ri ndërkombëtar Jarosllavli u zgjodh në lidhje me festimin e pritshëm të 1000 vjetorit të këtij qyteti të lashtë rus pranë brigjeve të lumit Vollga, i cili premton të bëhet një eveniment që do të mishërojë në vetvete jubileun e organizimit dhe funksionimit shtetëror rus. Për herë të parë Rusia po krijon një klub politik ndërkombëtar të përmasave kaq të mëdha dhe me një përfaqësim të tillë. Formulimi i temës dhe niveli i mysafirëve dëshmojnë për atë, se elita politike ruse ka ndërmend të flasë me elitën botërore “me gjuhën e saj” — mbi konceptet e sigurisë globale në botën bashkëkohore.


Komentimi i artikullit të ditës

 
Nënpresidenti i Akademisë së Problemeve Gjeopolitike Vladimir Antohin vëren në zhvillimin e konferencave të tilla instrumentin e ndikimit politik: “Çfarëdolloj konferencash politike që zhvillohen rregullisht sjellin mjaft dobi. Nuk është aspak e drejtë të quhet konferenca njëfarëlloj organi. Ky më tepër është një klub diskutimesh e debatesh që jep disa rekomandime. Në varësi të asaj se ku zhvillohen takimet, rekomandimet mbajnë karakterin përkatës. Po ai Davos për Rusinë është, pa dyshim, mundësi për të shprehur pikëpamjen e vet dhe për të dëgjuar mendimet e të tjerëve, por ne mbajmë mend fort mirë se si në fillim ne merrnim prej andej bile jo rekomandime, por direktiva. Në qoftë se një organizatë e tillë do të krijohet në Rusi, zëri i Moskës do të fillojë të tingëllojë më fuqishëm, më me peshë dhe atëhere pozita jonë do të dëgjohet më shpejt. Vetë ideja e themelimit të një organizate të tillë në territorin e Rusisë tashmë e forcon më shumë autoritetin e saj. Por meqenëse aktiviteti në fjalë po organizohet nën drejtimin e Presidentit, mund të shpresohet plotësisht se ai do të zhvillohet në një nivel të mirë dhe se do të përfundojë me rezultat të ndjeshëm.