Normalizimi i situatës në Afganistan është detyrë e përgjithshme dhe jo vetëm amerikane. Një mendim të tillë shprehu Presidenti i SHBA-s Barak Obama gjatë bisedës së zhvilluar me gazetarët pas përfundimit të negociatave me Kryeministrin e Hollandës. Në këtë mënyrë, Kreu i administratës së Uashingtonit, faktikisht, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për dhënien e ndihmës në zgjidhjen e problemit afgan, i cili tashmë që prej mëse 8 vjetësh vazhdon të mbetet pikë nevralgjike për SHBA-s. Një nga vendet të cilit iu drejtuan për ndihmë e mbështetje SHBA-s u bë Rusia. Diskutimit të kësaj çështjeje iu kushtua një vemendje e madhe gjatë Samitit ruso-amerikan që u zhvillua javën e kaluar në Moskë. Ja se ç’njoftoi në lidhje me këtë fakt Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev në konferencën për shtyp mbajtur pas negociatave: “Përsa i përket situatës aktuale në Afganistan, duhet thënë, se ajo me të vërtetë nuk është aspak e thjeshtë. Unë nuk dua të theksoj se ajo po degradon, por edhe progres në lidhje me shumë pozita tani për tani nuk po evidentohet. Ne, sigurisht, që i vlerësojmë ato përpjekje që po ndërmerren nga SHBA-s dhe vende të tjera me qëllim të parandalimit të përhapjes së rrezikut terrorist, i cili e mori pikënisjen e vet nga toka afgane dhe, që për fat të keq, po vazhdon edhe sot e kësaj dite në masë të konsiderueshme të invadojë po prej andej. Ne jemi të gatshëm për një bashkëpunim me përmasa të plota me amerikanët dhe partnerët e tjerë në këtë kauzë, ndër të tjera edhe në sferën e realizimit të transitit. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë në drejtime nga më të ndryshmet. Unë nuk e di se sa shpejt do të arrihet të ndryshohet situata atje. Problemi konsiston në atë, se gjendja e krijuar në këtë vend në një masë të konsiderueshme varet edhe nga ajo, se me ç’ritme e shpejtësi do të zhvillohet sistemi politik në Afganistan, se ç’suksese do të arrijë qeveria afgane në sferën ekonomike. Dhe unë mendoj, se në qoftë se ne do të arrijmë të bashkojmë në këtë çështje përpjekjet tona si në drejtimin ekonomik, ashtu dhe në kuptimin e mbështetjes së operacionit antiterrorist, atëherë herët e vonë suksesi do të arrihet megjithatë”, tha Presidenti rus. Marrëveshja e përmendur nga Presidenti, e cila ka të bëjë me realizimin e transitit ushtarak amerikan në Afganistan nëpërmjet territorit të Rusisë, do të hyjë në fuqi pas 2 muajsh. Në SHBA-s u prit me mirënjohje të madhe dhënia e pëlqimit nga ana e Rusisë për transitin e ngarkesave ushtarake amerikane, i cili u jep atyre mundësinë për të kursyer edhe rezervat, edhe mjetet financiare, edhe kohën për realizimin e përpjekjeve në lidhje me garantimin e sigurisë , stabilitetit dhe rikonstruktimit të Afganistanit.