Këto ditë parlamentarët europianë miratuan rezolutën me titull “Ribashkimi i Europës së ndarë: inkurajimi i të drejtave të njeriut dhe lirive qytetare në rajonin e OSBE-së në shekullin e XXI-të”. I propozojmë vemendjes së vizitorëve të sajtit tonë shënimet në lidhje me këtë fakt të vëzhguesit të “Zërit të Rusisë” Nikollai Dovzhenko. Në dokumentin në fjalë, shkruan autori, vihet në dukje se në shekullin e XXI-të vendet europiane e pësuan keq nga dy regjime totalitare, të cilët mbartën në vetvete gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit, — ai nazist dhe stalinist. Kjo pozitë e thjeshtëzon së tepërmi dhe e shtrembëron tej mase ecurinë reale të ngjarjeve dhe nëntekstin e tyre. Pikërisht, për këtë arsye parlamentarët rusë dolën me deklaratën kushtuar rezolutës së miratuar, në të cilën ajo është quajtur “provokacion antirus” dhe “përdhosje e kujtimit të bashkatdhetarëve tanë që flijuan jetën e vet në vitet e Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e Europës nga zgjedha fashiste”. Ja se ç’tha në lidhje me këtë Drejtori i Institutit të Historisë së Përgjithshme të Akademisë së Shkencave të Rusisë, akademiku Aleksandër Çubarjan: “Duhet bërë medoemos dallimi midis regjimit sovjetik dhe stalinizmit. Stalinizmi ishte sistem politik-regjim. Por sigurisht që nuk mund të mbyllen sytë edhe ndaj gjërave të tilla si zhvillimi i fuqishëm ekonomik dhe ai i shkencës, arsimit, kulturës e kështu me radhë… Është plotësisht me vend, sigurisht këtu, që të kujtohet këtu ai fakt, se pikërisht Procesi i Nurenbergut, që gjykoi udhëheqësit e Gjermanisë së përmbysur fashiste, dënoi njëkohësisht edhe nazizmin si ideologji të regjimit totalitar njeriurryes të “Rajhut të Tretë” ("Third Reich"). Në Nurenberg askush nuk e vuri në dyshim rëndësinë, domethënien e veprës heroike të popullit sovjetik që dëboi okupatorët fashistë jo vetëm nga territori i vet por dhe me një çmim jashtëzakonisht të lartë jetësh njerëzore çliroi nga robëria fashiste një pjesë të konsiderueshme të Europës. Po në se konsiston vallë vetë thelbi i demarshit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së? — shkruan më tej vëzhguesi ynë. Me sa duket nga të gjitha, ndokujt iu tek, i shkrepi në kokë të zymtësojë festimin nga vendi ynë vitin e ardhshëm të 65 vjetorit të Fitores së Madhe në Luftën e Dytë Botërore. Përveç kësaj, siç dihet, statusi aktual ndërkombëtar i Federatës Ruse, ndër të tjera edhe pozita e saj si një nga pesë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që zotërojnë të drejtën e vetos, janë trashëguar nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS). Ndërsa ky status dhe është pikërisht rrjedhojë e drejtpërdrejtë e fitores së Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. Duke i futur në një thes nazizmin gjerman dhe stalinizmin sovjetik, rezoluta e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së përpiqet me këtë të vënë në dyshim legjitimitetin e statusit të Rusisë në botë.