Politikanët perëndimorë nuk janë mësuar ende me të perceptuarit e idesë se Rusia nuk ka ndërmend të hyjë në mënyrë të mvetësishme në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), por vetëm në kuadrin e Bashkimt Doganor, kurse Ndihmësi i Presidentit të Rusisë Arkadi Dvorkoviç tashmë “punon me ritëm avancues në parakalim të zhvillimit të ngjarjeve”. Sipas fjalëve të tij, Moska mund të ndryshojë sërish mendje dhe të ndërmarrë hyrjen në OBT si shtet i veçantë. Nuk është sekret për askënd në elitën politike të Rusisë, shkruan gazeta “Moskovskij komsomolec”, se Barak Obama planifikonte të vinte në Moskë me një peshqesh të mirë. Pritej, që Presidenti i SHBA-s të shpallte, se anëtarësimi i Rusisë në OBT është praktikisht problem i zgjidhur. Por vetëm disa javë përpara vizitës së tij në Moskë Obamën e zhgënjyen. Qeveria ruse shpalli, se integrimi me Kazakistanin dhe Bjellorusinë është për të shumë më i rëndësishëm se sa hyrja në Bllokun Tregtar Botëror. Dhe, po aty për aty bëhet e qartë, se varianti me hyrjen e mvetësishme të Rusisë në OBT nuk është hequr megjithatë nga rendi i ditës. Moska në parim është e gatshme të ndërmarrë një hap të tillë, në qoftë se Bjellorusia dhe Kazakistani do të pranohen njëkohësisht me Rusinë në Ligën Tregtare Botërore. Iniciator i hyrjes në OBT vetëm në kuadrin e Bashkimit Doganor të EvrAzEs-it ishte Kryeministri rus Vladimir Putin. Ndërsa Dvorkoviç punon në Kremlin dhe kritikon shpesh herë kabinetin e ministrave. Janë krejtësisht evidente divergjencat ekzistuese në lidhje me çështjet ekonomike midis qeverisë dhe Administratës së Presidentit. Vetëkuptohet, se asgjë të tmerrshme nuk ka në këtë. Por mosmarrëveshje të tilla duhet të gjejnë zgjidhje deri para marrjes së vendimit principial, dhe jo pas tij, konkludon gazeta “Moskovskij komsomolec”.

Komentimi i artikullit të ditës

Presidenti i Institutit të Strategjisë Kombëtare Mihaill Remizov mendon, se me gjithë pluset evidente të OBT, Rusia do të ketë më shumë dëm, se sa dobi nga hyrja në të: “Rusia ka dy degë kryesore eksporti: atë të lëndëve hidrokarbure dhe atë të prodhimeve të kompleksit industrialo-ushtarak. Të dyja këto degë nuk përfshihen nga rregullimi i normave të OBT, prandaj kurrëfarë zgjerimi ato nuk do të pësojnë për llogari të hyrjes së Rusisë në këtë organizatë, ndërkohë që nga ky hap Rusia do të jetë e detyruar të lëshojë në mënyrë të qenësishme pozitat në tregun e vet të brendshëm. Më saktë, ajo do të kufizojë të drejtën e saj sovrane për mbështetjen e prodhuesve të vet të mallrave. Në këtë kuptim hyrja në OBT paraqitet si kufizim i pajustifikuar i sovranitetit ekonomik të Rusisë. Po të shprehemi sinqerisht, vendimi mbi hyrjen e përbashkët në OBT është mjet për bllokimin e vetë hyrjes në këtë organizatë. Sepse, si minimum, do të duhet të krijohet një hapësirë unike dhe plotësisht reale doganore. Tani për tani një gjë e tillë nuk ekziston dhe zor se do të mund të bëhet realitet në një të ardhme të afërt.