Agjencia për sigurimin e depozitimeve publikoi parashikimin, sipas të cilit, vala e dytë e krizës mund të përfshijë vendin tashmë që në vjeshtë për shkak të rritjes së qenësishme të borxheve të huamarrësve korporativë. Siç shkruan gazeta “RBC-Daily”, gjithësej deri në fund të vitit licencat do ti humbasin në Rusi 50-60 organizata që merren me dhënien e kredive. Këto prognozime kaq negative bien në kundërshtim të plotë me vlerësimet e Kreut të Bankës së Rusisë Sergei Ignatiev, i cili e quan propabilitetin e valës së re të krizës shumë të vogël. E megjithatë, sipas fjalëve të Kreut të Bankës MDM Oleg Vjugin, në qoftë se autoritetet e vendit nuk do tu propozojnë bankave një mekanizmin efektiv të rritjes së kapitalit, tashmë që në vjeshtë mund të lindë kërkesa suplementare për likuiditet dhe atëhere do të krijohen rreziqe të reja serioze, ndërsa kjo nuk është aspak gjë e mirë për sistemin bankar. Krye ekonomistja e Alfa-Bankës Natalia Orllova bën një parashikim të tillë negativ: “Bankat ruse me mjaft përkujdesje e dinakëri i përfshijnë kreditë me afat të shkelur pagesë në bilancet e veta me qëllim që të mos prishin treguesit. Por në një moment kritik vëllimi i kthimit të kredive mund të bëhet kaq i ulët, sa që kjo mund të vështirësojë seriozisht aftësinë e bankave për të kryer shërbimet e veta”, tha ajo. Tani qeverisë i duhet medoemos të merret urgjentisht me përpilimin e programit shtetëror për drejtimin, administrimin e borxhit me afat të shkelur pagese.


Komentimi i Artikullit të ditës


Presidenti i Asociacionit të Bankave ruse Garegin Tosunian mendon, se ndërkohë që shumë e shumë merren me frikësimin e njëri-tjetrit me shpërthimin e valës së dytë të krizës, ikën, fluturon nga duart mundësia për të analizuar e për të kuptuar normalisht situatën e krijuar në valën e parë të krizës. “Le të sqarojmë njëherë punën me valën e parë të krizës dhe të mos ndezim pasionet e të shqetësohemi në lidhje me valët e tjera të saj. Neve po na mblidhen, pa dyshim, shumë probleme të lidhura me moskthimin e parave të kredive. Borxhet e këqia janë ai problem për zgjidhjen e të cilit duhet punuar shumë dhe jo të rrimë e të presim deri sa ai të shfaqet në një formë tepër akute, megjithëse kjo gjë është plotësisht e mundur deri në fund të vitit. Që tani duhet të merren masa komplekse që kanë të bëjnë me uljen e normës së interesit, minimizimin e shpenzimeve që çojnë në shtrenjtimin e kredive, rritjen e borxheve dhe, në fakt, me rënien e prodhimit. Nuk bën të qetësohemi e të rilaksohemi, sepse është plotësisht e mundur recidiva. Veçanërisht po të mos ndërmerret një terapi serioze. Duhet të stimulohet në këtë situatë kreditimi duke krijuar kushtet gjatë të cilave konkurrenca nuk do tu lejojë bankave të rrisin si tepër shumë fitimin e kështu me radhë… Ja, mbi këtë dhe duhet punuar shumë”, theksoi Garegin Tosunian.