Komuniteti ndërkombëtar duhet ti japë autoriteteve të Somalisë një ndihmë të gjithanshme në luftën kundër piraterisë. Për këtë deklaroi Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë pranë OKB-së Vitali Çurkin gjatë fjalimit të mbajtur të enjten në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kushtuar situatës në këtë vend afrikan. Sipas mendimit të diplomatit të lartë rus, pirateria pranë brigjeve të Somalisë është një faktor destabilizues mjaft serioz në rajon. “Po vjen duke u bërë gjithnjë e më i ndjeshëm, — theksoi Çurkin, — rreziku kërcënues i përhapjes së piraterisë edhe në rajone të tjerë nevralgjikë pranë brigjeve të Afrikës”. Por, sipas mendimit të Moskës, vetëm masat me përdorimin e forcës për parandalimin e sulmeve të piratëve nuk do të japin rezultatin e dëshiruar. Siç deklaroi Vitali Çurkin, për zgjidhjen kardinale të problemit me piraterinë janë të domosdoshme jo vetëm masat e reagimit ushtarak, por edhe krijimi i mekanizmave juridikë për vënien përpara përgjegjësisë penale të banditëve detarë. Federata Ruse po e shqyrton këtë drejtim si një ndër kyçët në strategjinë antipirateske. Ja mendimi në lidhje me këtë i specialistit të njohur rus të së drejtës ndërkombëtare, doktorit të shkencave juridike, profesor Anatoli Kollodkin: “Në sferën e së drejtës ndërkombëtare tashmë që prej kohësh janë sanksionuar normat e përgjithshme të luftës kundër piraterisë. Në Konventën e OKB-së mbi detin e hapur të vitit 1958 është dhënë përcaktimi i piraterisë: kjo është ndërmarrje e sulmit nga një anije private ndaj një anije tjetër me qëllim grabitjeje, rrëmbimi të pasurisë. Piratët që në shekujt e kaluar i patën shpallur si armiq të racës njerëzore. Por, gradualisht, vetë e drejta ndërkombëtare u civilizua dhe si rezultat u bë më e civilizuar edhe ndaj piratëve. Bashkë me këtë jo çdo shtet disponon legjislacionin e vet përkatës për këtë, gjë që u lejon piratëve, grabitësve detarë ti shmangen dënimit nga ana e drejtësisë. Ka plotësisht të drejtë Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë pranë OKB-së Vitali Çurkin kur thotë se lufta kundër piratëve duhet të zhvillohet sipas të gjitha rregullave”, konkludon Anatoli Kollodkin.