Më 9 korrik Moska i dha lamtumirën e fundit shkrimtarit të shquar rus Vasili Aksionov, i cili ndërroi jetë më 6 korrik në moshën 77 vjeçare. Një numër i madh njerëzit u mbodh në Shtëpinë Qendrore të Letrarëve, në godinën, e cila vetë e marrë në vetvete të ngjall ndjesi jo fort të këndshme dhe të detyron të përsiatësh mbi fatet e kulturës ruse, mbi fatet e shkrimtarëve rusë, për të bërë homazhe dhe për ti lënë lamtumirën e fundit Vasili Aksionovit. Dy epoka: njëra përpiqet të “spostojë” tjetrën, ta shtrëngojë në darë…Ja, në këtë mënyrë, në kohërat sovjetike vepronin autoritetet pushtetore ndaj krijuesve, duke u përpjekur ti merrnin ata nën kontroll të plotë, ti mohonin fluturimin e lirë në krijimtari. Kurse njeriu, me të cilin erdhën të ndahen sot mijëra njerëz, u rebelua ndaj këtij presioni duke mos iu nënshtruar kurrë atij. Dhe që në hapat e parë të krijimtarisë së vet letrare, që i përkasin viteve 60-të, ai inspiroi në të frymën e lirisë, çlirimit, emancipimit, ndjesinë e dinjitetit të individualitetit. Në kohën e vet këtë e vlerësuan moshatarët e Vasili Aksionovit, për të cilët ai u bë një idhull i vërtetë. Ndërsa me kalimin e disa dekadave po e njëjta ndjesi shkakton admirimin e brezit të ri të ditëve tona, mendon shkrimtari Aleksandër Iliçevskij, lideri i brezit letrar të 30 vjeçarëve: “Vasili Aksionov është, sigurisht, njeri epokë, njeri që u bë mishërim i viteve 60-të, i frymës së lirisë, thotë Aleksandri dhe thekson, se në prozën e Aksionovit, veçanërisht në atë të hershme, të viteve të rinisë së tij, ndihet një drive (vrull, energji) i fuqishëm. Shkrimtari mund të shprehte verbalisht pandalshmërinë e vetë jetës, në veprat e tij sintetizohej shkrirja e rrëfimit letrar me vetë jetën. Drive-ja cila ishte markë firme e Aksionovit. Në Rusi atë shpesh e quanin “perëndimor”, ndërsa ai pasi u largua për banim në Amerikë dhe jetoi atje 10 vjet, deklaronte, se nuk do të mund ta ndjejë dot kurrë veten amerikan. Në moshë të thyer ai gjeti një kënd të qetë e mjaft piktoresk në Francë, në Biarice, ku u zhyt i tëri në vorbullën e magjisë marramendëse të fjalës duke zbuluar mundësi gjithnjë e më të reja të gjuhës letrare. Në këtë lëmë ai ishte mjeshtër i madh, shprehet me bindje të plotë Anna Pugaç, bashkëpunëtore e revistës letrare, ku botonte veprat e veta Vasili Aksionov: “Aksionov ishte një stilist i mrekullueshëm, ai gjithmonë preferonte improvizimin dhe e ndjente mjaft hollë gjuhën. Jo krejt rastësisht një nga romanet e tij titullohet “Stili i ri i ëmbël”. Ai provonte kënaqësi të veçantë nga loja me fjalët. Dhe gjithmonë e bënte këtë me një talent të madh, në mënyrë mjaft tërheqëse, interesante. Duke i dhënë lamtumirën e fundit Vasili Aksionovit le të dëgjojmë edhe një herë zërin e tij, ti vëmë veshin fjalëve me të cilat shkrimtari i drejtohet edhe lexuesve, edhe vetes së tij…“Koha është mikja jonë dhe armikja jonë, ajo rend me shpejtësi të jashtëzakonshme, largohet prej nesh për sa kohë ne jemi gjallë. Me sa duket ajo ndalon vrapin e vet të marrë kur ne vdesim. Koha është dëbim nga parajsa. Ne gjatë gjithë kohës provojmë nostalgji dhe shkruajmë libra, në mënyrë koshiente apo inkoshiente, pikërisht për këtë nostalgji”.