Sot ekspertët rusë në fushën e letërsisë komentojnë pranë mikrofonit të “Zërit të Rusisë” rezultatet e studimit të zhvilluar nga revista amerikane “Newsweek”. Para pak kohësh ajo botoi listën e 100 veprave letrare të pranuara si librat më të mirë të të gjithë popujve dhe kohërave.

Në vendin e parë të saj renditet epopeja e shkrimtarit të madh rus Lev Tolstoi “Lufta dhe paqja”. Kurse në dhjetëshen e parë figuron edhe vepra e një shkrimtari tjetër rus Vladimir Nabokov, romani “Lolita”. Kriteret, nga të cilat u udhëhoqën në zgjedhjen e tyre përpiluesit e listës së revistës “Newsweek”, janë me mjaft peshë: ndikimi i librit në ecurinë e ngjarjeve historike, kontributi intelektual në letërsinë botërore, popullariteti i veprës në kohën tonë. Shkrimtari Pavel Basinskij përsiatjet e veta i ndërton rreth kriterit të parë, pra, ndikimit të romanit në Lev Tolstoit “Lufta dhe paqja” në ecurinë e historisë: “Lufta dhe paqja” është, në fakt, roman mbi lumturinë, thotë eksperti. Lumturia, në tërësi, ka qenë nocion kyç për Tolstoin. Ai ka bile dhe një shprehje të tillë: “Jeta është gëzim”. Kështu pra, atë fakt se ky roman është për lumturinë e ndjenë të gjithë lexuesit e botës. Ata sikur e identifikojnë veten me heronjtë e romanit “Lufta dhe paqja”. Do të dukej në vështrim të parë, se ky është një vend tjetër, një kohë tjetër… Por megjithatë njerëzit, duke lexuar “Luftën dhe paqen” e ndjejnë atë me të gjitha shqisat: sikur ky të jetë fati i tyre…”. Në realizmin artistik gjithërrethues e vëren forcën e romanit “Lufta dhe paqja” edhe kulturologu Aleksandër Arhangelskij: “Pa dyshim, Tolstoi ka shkruar mbi ngjarjet e mëdha të luftës së vitit 1812 në mënyrë të tillë, sa që për historianët tani është punë krejtësisht e kotë që të marrin mundimin e të tregojnë se si kanë ndodhur ato në të vërtetë, mendon eksperti. Tani të gjithë brezat e ardhshëm janë të destinuar ti shohin ngjarjet e përgjakshme, në të cilat e zhyti Europën, ndër të tjera edhe Rusinë, Perandori francez Napoleon Bonaparti, pikë për pikë si autori i romanit. Ju do të humbisni më kot kohën duke propozuar ndonjë model tjetër filozofik. Edhe diçka tjetër: provoni të hyni në çfarëdolloj librarie në qytetin më të vogël europian apo amerikan dhe ju do të shihni, se Tolstoi me “Luftën dhe paqen” e tij shitet gjithkund”, konkludon ai. Por ekziston edhe një mendim i veçantë në lidhje me top-listat e veprave letrare. Ja si e formuloi atë specialisti në fushën e letërsisë Igor Shajtanov: “Lista të kësaj natyre dëshmojnë më tepër për interesimin aktual të lexuesve, mbi atë se, në ç’masë libri mund të jetë jo dhe aq i lexuar, se sa të dëgjohet të flitet për të. Eksperti mendon, se në rastin me romanin “Lufta dhe paqja” gjithçka është plotësisht e kuptueshme: Ky është një epos falë të cilit çdo epokë, çdo brez ka mundësi të prekë, të kontaktojë me historinë, me të kaluarën. Për ta bërë më të plotë tabllonë duam të shtojmë këtu, se në mes të listës së 100 librave më të mirë të të gjithë popujve dhe kohërave, të përpiluar nga revista amerikane “Newsweek”, figuron edhe një tjetër roman i Lev Tolstoi-“Anna Karenina”.