Gazeta “Moskovskij komsomolec” u përpoq të përcaktonte pasionet në lidhje me profesionet e preferuara të maturantëve dhe të të diplomuarëve të djeshëm. Këtë vit Provimi Unik Shtetëror për herë të parë u bë i detyrueshëm për të gjithë nxënësit që mbaruan klasat e 11-ta. Nxënësi duhet të përcaktojë vetë paraprakisht vendin e shkollimit të mëtejshëm në auditoret universitare. Ai duhet të zgjedhë se çfarë lëndësh do të japë në formën e Provimit Unik Shtetëror, kurse kjo përzgjedhje varet nga kërkesat e institucionit të lartë arsimor. Kështu, pra, cilat institucione të larta arsimore zgjedhin maturantët, për shembull, nga shkollat e periferive të Moskës? Shumica, sigurisht, e bëjnë zgjedhjen e vet në favor të instituteve të larta të Moskës ose të filialeve të tyre në periferitë e kryeqytetit rus. Në vend të parë në të gjithë rejtingët e mundshëm, siç dhe pritej, renditet Universiteti Shtetëror i Moskës “Lomonosov”. Vendin e dytë e zë Instituti Shtetëror i Marrëdhënieve Ndërkombëtare i Moskës. Zgjedhja e specialiteteve për kandidatët për në shkollë të lartë dhe prindërit e tyre bazohet mbi perspektivat e zhvillimit të profesionit pas pesë vjetësh: të ardhurat, mundësia e rritjes së karrierës profesionale. Nga të gjitha specialitetet popullaritet më të madh gëzon ekonomiku, pavarësisht nga numri tashmë i madh i specialiteteve në këtë sferë. Me mjaft popullaritet janë gjithashtu edhe specialitetet e lidhura me teknologjitë informative. Teknika kompjuterike po zhvillohet vrullshëm dhe nevojiten specialistë të cilët do të mund ta drejtojnë atë. Profesionet e menaxherëve dhe juristëve tashmë që prej disa vitesh me radhë nuk i tërheqin më dhe aq shumë maturantët. Të diplomuarit e universiteteve që mbarojnë këto specialitete, shpesh nuk mund të gjejnë punë për shkak të mbingopjes së tregut të punës. Shumë prej tyre detyrohen të rikualifikohen, gjë për të cilën harxhohet shumë kohë dhe para. Por megjithatë edhe këto fakultete nuk mbeten kurrë bosh. Tradicionalisht, një pjesë e kandidatëve për në shkollë të lartë zgjedh fakultetet e mjekësisë, përveç kësaj edhe specialitetet e ndërtimit. E vështirë është puna edhe me gazetarinë: sepse në kushtet e krijuara të diplomuarit nuk e dinë se çfarë i pret ata, konstaton gazeta “Moskovskij komsomolec”.


Komentimet e artikullit të ditës


Kryetari i Fondit Mbarërus “Arsimi” Sergeij Komkov, duke vlerësuar situatën e sipërpërmendur, flet mbi gabimin e madh strategjik të bërë në sistemin e arsimit gjatë këtyre viteve të fundit. “Në qoftë se në kohërat e Bashkimit Sovjetik ne kishim një sistem të zhvilluar orientimi profesional dhe një përgatitje mjaft serioze, duhet thënë, se gjatë periudhës së realizimit të reformave ne atë faktikisht e asgjesuam. Sot tek ne maturantët janë të orientuar vetëm ndaj institucioneve të larta arsimore. Dhe duhet thënë, pavarësisht nga ajo, se ku do të vazhdojnë studimet, në ç’mënyrë dhe cilin drejtim do të zgjedhin. Struktura e shkollave profesionale teknike tek ne praktikisht ka vdekur fare. Prandaj, unë mendoj, se ne duhet të merremi shumë seriozisht me problemin e zhvillimit në stad të hershëm të orientimeit profesional të nxënësve. Duke filluar, pikërisht, që nga klasa e tretë, e katërt, maksimumi, klasa e pestë të punohet për evidentimin e prirjeve, aftësive të fëmijëve, tu jepen atyre konsultimet përkatëse, duke zhvilluar në këtë mënyrë sistemin e përgatitjes paraprofesionale.