Në vitin e 81-të ndërroi jetë sot Artistja e Popullit e Bashkimit Sovjetik Ludmilla Zikina, një nga interpretueset më të mira të këngëve popullore ruse dhe atyre sovjetike. Rodion Shendin, Aleksandra Pahmutova, Tihon Hrennikov e shumë komozitorë të tjerë shpreheshin me admirim në lidhje me krijimtarinë e Ludmilla Zikinës, shkruanin vepra posaçërisht për zërin e saj me tingëllim të papërsëritshëm. Siç konfirmonte Dimitri Shostakoviç, “Zikina është jo vetëm një interpretuese e mrekullueshme, e shkëlqyer, por edhe bashkëkrijuese, bashkëautore e kompozitorit”. Me krijimtarinë e këngëtares janë njohur në të gjitha vendet e botës, në të gjithë kontinentet. Me këngëtaren ruse janë mahnitur politikanë të tillë të mëdhenj si, p.sh., Indira Gandhi dhe Charles de Gaulle si dhe shumë e shumë veprimtarë të tjerë botërorë të artit: Mireille Mathieu, Charles Aznavour, Frank Sinatra e kështu me radhë… Përveç kësaj, Zikina arriti të bënte për vete edhe interpretues të brezave dhe drejtimeve të ndryshme muzikore, p.sh., grupet “The Beatles” dhe “Boney M”. Ndërsa e filloi karrierën e vet të interpretueses Ludmilla Zikina me vetëveprimtari duke marrë pjesë në koncertet e grupeve të artistëve amatorë. Në vitin 1947 ajo u pranua në korin e famshëm “Piatnjeckij”, i cili u bë për të një shkollë e mrekullueshme kantoje. Paralelisht me punësimin dhe veprimtarinë artistike në korin “Piatnjeckij” ajo vazhdonte shkollën e rinisë punëtore. Të kënduarit në kor edukoi tek Zikina të përmbajturit emocional gjatë interpretimit të këngës popullore. Me kalimin e kohës zëri kontra-alto mjaft individual, “zikinian” erdhi duke u forcuar. Këngëtarja arriti të sintetizojë intonacionin e vërtetë popullor me mënyrën magjiplotë të të kënduarit. Në vitin 1960 Ludmilla Zikina filloi të debutojë solo. Itineraret e turneve të saj përfshinë Uralin, Siberinë, Kamçatkën, Lindjen e Largët dhe bile Polin e Veriut. Tema kryesore të këngëve të saj ishin: Rusia, Moska, lufta. Aty nga viti 1965 ajo u bë laureate 8-herëshe e konkurseve të vokalistëve të mbarë Bashkimit Sovjetik dhe të gjithë Rusisë. U formua tërësisht këngëtarja e planit liriko-dramatik, e aftë të interpretonte pa kurrëfarë sforcimi me mjaft mjeshtëri veprat lirike, dramatike, të gjinive të ndryshme dhe këngët e ritit, ato ceremoniale. Interpretonte ajo edhe kompozime tejet të ndërlikuara vokalo-simfonike. Siç është bërë zakon të thuhet tani, “Zikina është figurë e njohur, e rëndësishme: fama impresionuese, tronditëse, suksesi, lavdia e kulturës ruse janë të pandara nga emri i saj. Më 10 qershor të këtij viti Ludmilla Zikina kremtoi 80 vjetorin e vet. Pavarësisht nga gjendja e keqe shëndetësore, këngëtarja ruante forcën shpirtërore, vështrimin optimist përkatësisht të ardhmes. Ndryshe nga interpretuesit e tjerë të muzikës popullore Ludmilla Zikina nuk kishte teatrin e vet. “Kam shumë dëshirë që të më falin një sallë”, thoshte shpesh këngëtarja. Ajo ëndërronte të prezantonte përpara publikut interpretuesit e rinj të talentuar të folk muzikës. Bile dhe në moshën e thyer 80 vjeçare ajo arriti të ruajë për mrekulli zërin e vet unikal, i cili, si dhe më parë, i magjepste, i linte gojëhapur të gjithë dëgjuesit. Jubileun e vet këngëtarja dëshironte ta kremtonte me një turne të madh nëpër qytetet e Rusisë.