Dita “D”, pra, deçizive erdhi për të gjitha kazinotë ruse: ato po largohen, që të mbeten, të vazhdojnë ekzistencën e vet. Sepse, konform ligjit të miratuar nga Duma Shtetërore në vitin 2006, që nga i korriku i këtij viti ato do të mund të funksionojnë vetëm në zonat e posaçme të caktuara për to: në krahinat e Primorskut dhe Altait, në qarkun e Kaliningradit dhe në kufirin e krahinës së Krasnodarit me qarkun e Rostovit. Në rajonet e tjera kazinotë janë shpallur “persona non grata”. Ndërsa atyre që do të vazhdojnë të pranojnë klientë u kërcënohet akuza për ushtrim veprimtarie ilegale sipërmarrëse. Sallat e lojrave të fatit filluan të mbyllen njëra pas tjetrës, ndërsa lojtarët e apasionuar dhe kumarxhinjtë e rregjur kanë hedhur rrënjë në kazinotë që mbetën akoma për të luajtur sa të ngopen për herë të fundit. Sepse që këtej e tutje, jashtë zonave të lojrave të fatit që janë përcaktuar nga ligji, do të lejohen vetëm katër lloje “veprimtarie kumari“: totalizatorët, klubet e bookmaker-ave, organizatat dhe klubet e pokerit sportiv dhe lotarive, tombolave. Por zor se kjo do të mund të kënaqë plotësisht etjen e njerëzve të cilët i kanë krijuar vetes varësi totale nga këto lojra fati, rubinet-et e kazinosë (ruletka). Prandaj mjekët psikiatër parashikojnë, se ata do të duhet të përballojnë në një të ardhme të afërt një mori të madhe pacientësh nga radhët e kumarxhinjve të apasionuar, të cilët kanë nevojë për kurim, shërim nga ky pasion shkatërrues, fatal. Me që ra fjala, mjekët përshëndetën veçanërisht idenë që kishte të bënte me zhvendosjen e kazinove në zona të posaçme. Sipas fjalëve të tyre, lulëzimi i vrullshëm i biznesit të lojrave të fatit (ndërsa qe një kohë kur automatet e lojrave të fatit mund ti shihje të montuara bile edhe në dyqanet ushqimore) çoi në atë, që disa njerëz ia nënshtruan veten totalisht varësisë së lojës së kumarit. Drejtorja e Qendrës Shkencore Shtetërore të Psikiatrisë sociale dhe mediko-ligjore me emër të Serbskit, Tatjana Dimitrjeva vuri në dukje, në mënyrë të veçantë, se psikiatrët kanë mbajtur gjithmonë anën e atyre që duan të lokalizojnë dhe të minimizojnë aksesin e njerëzve në lojrat e kumarit, sepse varësia nga kjo lojë e depersonalizon njeriun. Njeriu i dhënë pas këtij pasioni, në fakt, pushon së qeni njeri, po ashtu si çdo alkoolist i degraduar në shkallë të rëndë, i cili humbet interesin ndaj çdo gjëje, humbet vendin e punës, familjen, statusin e vet social, ndërsa rrethi i interesave të tij ngushtohet brenda kufijve të lojës, mendon psikiatrja e njohur. Tani të gjithë po vërejnë se si biznesi i lojrave të fatit po largohet nga qytetet e mëdha. Është plotësisht e mundur që një pjesë e përfaqësuesve të tij të marrin vendim për tu vendosur jashtë shtetit. Ndër vendet tërheqëse për pronarët e kazinove përmendet, p.sh., Mali i Zi me legjislacionin e tij të butë dhe klimën e ngrohtë, i cili josh miliona pushues. Por kjo është vetëm një pjesë e tyre, ndërsa shumë të tjerë do të veprojnë ndryshe, mendon Zëvendës drejtori i parë i Qendrës së Teknologjive Politike Aleksei Makarkin: “Të tjerët do të përpiqen të adaptohen në ndonjëfarë mënyrë me kushtet e reja. Ose ata do të vendosen në zonat e lira të përcaktuara për lojrat e fatit që po krijohen dhe, në fund të fundit, këto zona do të fillojnë të funksionojnë, ose do të përpiqen të transformohen p.sh., në klube apo shoqata. Ndërsa përsa i përket ekzistencës së këtyre klubeve shtrohet për zgjidhje problemi se sa fitimprurës do të jenë ata veçanërisht në periudhë krize, sepse siç dihet, gjatë krizës qytetarët reduktojnë shpenzimet për zbavitjet e veta. Rrjedhimisht, ndryshimi i profilit të argëtimit nuk do tu japë asgjë pronarëve të kazinove. Ndërsa përkatësisht zonave të lojrave të fatit, mund të thuhet, se tani për tani në to nuk ka praktikisht një infrastrukturë të zhvilluar, dhe kazinotë, në fakt, nuk kanë se ku të vendosen realisht. Ndërsa kjo do të thotë se biznesi i lojrave të fatit si i tillë është vënë në kufirin e mbijetesës, gjë kjo që e marrë në vetvete përbën gabim taktik, të paktën për atë, se buxheti shtetëror do të humbasë të ardhurat e taksave që paguante ai. Ndërsa, siç dihet, binesi i lojrave të fatit i përndjekur në këtë mënyrë, me qëllim që të mbijetojë mund të dalë në “ilegalitet”. Sigurisht, që numri i të apasionuarve pas lojrave të kumarit do të reduktohet gjatë kësaj, sepse në kazinotë e tipit të mbyllur nuk është e lehtë të depërtohet, por dalja e tyre në “ilegalitet” mund të shndërrohet në pika përqendrimi të kriminalitetit dhe atëhere organeve të ruajtjes së rendit do tu krijohet një dhimbje e re koke.