Metoda e re e kurimit të leucemisë që prek foshnjat dhe fëmijët e vegjël u shpik nga onkologët rusë. Mjekët nga Qendra e Onkologjisë dhe Hematologjisë për fëmijë të Ekaterinburgut në Ural për herë të parë në botë mësuan se si të luftojnë dhe të triumfojnë mbi sëmundjen e tmerrshme të quajtur leucemia limfatike, e cila më parë cilësohej si e pashërueshme. Tani fëmijët, të cilëve mjekët u kanë venë këtë diagnozë të llahtarshme, i kanë të gjitha shanset për shërim. Ja se ç’deklaroi për korrespondentin e “Zërit të Rusisë” Drejtorja e Qendrës ekaterinburgase të Onkologjisë dhe Hematologjisë për fëmijë Larisa Feçina: “Ne fillimisht ndikojmë mbi organizmin e sëmurë me anë të kimioterapisë, rrethojmë masën kryesore të tumorit. Më pas diferencojmë me anë të preparatit të acidit të plotë trans retinik të ashtuquajturat qeliza iniciatore leucemike, të cilat janë më rezistente. Dhe, kështu, duke kombinuar në mënyrë konsekuente këtë preparat me programin e zakonshëm të kimioterapisë ne arrijmë asgjesimin e plotë të tumorit kanceroz (malinj)”, shpjegon Larisa Feçina. Aplikimi i metodës së re ka ndihmuar tashmë për shërimin e 40 foshnjave e fëmijëve të vegjël të sëmurë. Tani kanë filluar ta kurojnë me mjaft sukses leuceminë me anë të metodës së re edhe në rajone të tjera të Rusisë: në Moskë, Shën Peterburg, në Rostov mbi Don dhe Arhangelsk. E shfrytëzojnë tani atë edhe në Bjellorusi. Lavdia e sensacionit rus të metodës së kurimit të leucemisë së moshave të vogla po përhapet me shpejtësi të paparë në mbarë botën e shkencës. “Gjatë kohës së vizitës së fundit të Kryeministrit të Rusisë Vladimir Putin mjekët gjermanë i treguan atij se tani fëmijët me këtë diagnozë i drejtojnë për kurim në Rusi”, tregon Larisa Feçina. Ndërsa në Atdhe meritat e mjekëve të Ekaterinburgut i njohën tashmë zyrtarisht dhe publikisht. Për shpikjen e vet ata u nderuan me çmimin më të lartë të vendit në sferën e mjekësisë - “Prirja” (“Vokacioni”).