“Unë që në fillim dija gjithçka për vjershat”- kështu shkroi njëherë për veten e saj Anna Ahmatova. Më 23 qershor u mbushën plot 120 vjet që nga dita e lindjes së kësaj poeteshe të madhe, e cila u bë simbol i disa epokave në kulturën ruse. “Mbretërore”, “madhështore”, “e paarritshme”- me shprehje të tilla e përshkruante Anna Ahmatovën çdo njeri që pati fatin e madh ta shihte atë edhe në rini, edhe në pleqëri. Tek ajo të habiste gjithmonë pa masë kombinimi i ëmbëlsisë femërore me forcën e brendshme shpirtërore, karakteri i fortë, i autoritetshëm “mbretëror”. Është interesant konstatimi i faktit, se Ahmatovës nuk i ka pëlqyer kurrë fjala “poeteshë”, ajo e quante veten vetëm poet. Dhe me këtë korrigjim është e pamundur të mos pajtohesh, mendon specialisti në fushën e letërsisë Sergei Kormillov: “Ahmatova thoshte, se femra në dashuri është pjesmarrëse 50 %. Ajo mendonte se në gjithçka duhej të kishte barazi të plotë, dhe se fjala “poeteshë” ishte si tepër e pazakontë, e papërshtatshme, dhe, ndoshta, tepër e ulët për traditën e letërsisë. Vërtet, para së gjithash, në shekullin e XIX-të nuk kishte poetesha që mund të viheshin në një nivel me Anna Ahmatovën. Anna Ahmatova hyri në poezinë ruse në fillim të shekullit të XX-të, në epokën e Shekullit të Argjendtë, si një nga personalitetet më të rëndësishme shprehëse të asaj kohe tejet të pasur e të larmishme me tendenca artistike. Në fakt, vetë togfjalëshi “Shekulli i Argjendtë” nisi të përdoret gjerësisht në kulturën ruse pas asaj kur u duk fillimisht në një nga poezitë e Ahmatovës. Atëhere ideal i Anna Ahmatovës ishte Pushkini. Ajo e quante atë etalon të finesës, qartësisë dhe thellësisë klasike, të ardhur nga “Shekulli i Artë” i kulturës ruse. Ahmatova i qendroi gjatë gjithë jetës së vet besnike këtij ideali në krijimtarinë e saj. Ndërsa jetën ajo, mund të thuhet, se nuk e pati aspak të lehtë, po ashtu si dhe populli “100 milionësh” i Rusisë, në emër të të cilit filloi të flasë Anna Ahmatova. Ajo përjetoi 2 Luftrat Botërore, duke përfshirë këtu edhe tmerrin e bllokadës së Leningradit, ajo ka qenë dëshmitare okulare e përndjekjeve e persekutimeve staliniane, viktima të të cilave u bënë shumë njerëz të afërt të saj, bile edhe i biri. Në krijimtarinë e saj, në të cilën flitej më parë kaq shumë për “dashurinë fatkeqe”, filloi të shfaqet e të dominojë pathosi i shpërthimit zemërak dhe nënteksti i qartë politik. Dhe a ia vlen të habitesh vallë nga fakti, se Ahmatovën ideologët sovjetikë e fshinë nga listat e autorëve që botoheshin. Ajo iu nënshtrua përndjekjeve poshtëruese dhe përjashtimit zyrtar nga Lidhja e Shkrimtarëve- shoqatës së vetme profesionale letrare në Bashkimin Sovjetik! Njëri nga nxënësit e Anna Ahmatovës në vitet e fundit të jetës së saj, poeti Anatolij Najman kujtonte: “Fati i tmerrshëm, shumë i rëndë për të mbijetuar, i shërbeu asaj, që Ahmatova u bë, përveç të tjerash, edhe simbol i rezistencës. Dhe me të vërtetë: regjimi totalitar kishte ushtrinë, flotat detare dhe ajrore, organet e persekutimit e kështu me radhë …, ndërsa ajo-asgjë fare. Por doli kështu që Ahmatova mbeti, kurse regjimi u zhduk. Në atdheun e vet Anna Ahmatova të kujtonte “mbretëreshën e syrgjynosur”. Ajo për një kohë të gjatë nuk pati as çatinë e vet mbi kokë. Jetonte tek miqtë e saj. Por kjo gjë nuk e pengonte aspak atë të ruante madhështinë mbretërore, dhe, sigurisht, që të merrej me krijimtarinë e vlerësuar, më në fund, në masë të plotë edhe në Rusi, edhe jashtë shtetit. Po ç’mesazhe mund të lexohen sot në poezitë e Ahmatovës? Me këtë pyetje ne iu drejtuam profesorit të Universitetit të Peterburgut Sergei Bogdanov: “Në poezitë e Anna Ahmatovës mund të gjesh të gjitha ato gjëra të cilat ne do të dëshironim që të na shoqëronin gjatë gjithë jetës sonë, gjithmonë. Ajo i mëson njerëzit të jenë të lumtur dhe ti bëjnë edhe njerëzit e tjerë të lumtur. Më 23 qershor, në ditën e 120 vjetorit të lindjes së Anna Ahmatovës poezitë e saj tingëllojnë në Rusi në mbrëmjet e shumta letrare, para së gjithash, në Peterburg, të cilin Ahmatova e quante “qyteti im”. Por zor se ndokush tjetër do të mund të përsërisë megjithatë intonacionin mbretëror dhe “magjiplotë” me të cilin poetja Anna Ahmatova deklamonte poezitë e veta: “Dhe rimën e lehtë të sinjaleve të zilkave/ Atëhere unë filloj të kuptoj/ Dhe vargjet thjesht të diktuara/ Shtrihen mbi fletorëzën dëborë të bardhë…