Qytetarët rusë tashmë u mësuan me atë, që vendin e drejton tandemi “Presidenti Medvediev-Kryeministri Putin” dhe e quajnë afatgjatë një fomë të tillë drejtimi. Rezultatet e anketimit sociologjik të radhës i botoi gazeta “Vedomosti”. 21 % e rusëve mendojnë se pushtetin real e ka në duar faktikisht Vladimir Putin. Një numër po i tillë të anketuarish mendojnë se atë e ka në dorë Dimitri Medvediev. 17 % e qytetarëve rusë mendojnë se drejtues kryesorë të pushtetit në vend janë oligarkët. Çdo person i tretë ndër respondentët e anketimit e quan Vladimir Putinin politikanin më të autoritetshëm. Ndikimi i Dimitri Medvedievit u rrit disi pas luftës në Osetinë e Jugut në gusht të vitit të kaluar. Ndryshimin në qendrimet e personave të sipërpërmendur-p.sh., shprehjet e ashpra në adresë të Bjellorusisë nga ana e Dimitri Medvedievit dhe, e kundërta, të buta nga ana Vladimir Putinit, qytetarët e thjeshtë nuk e venë re fare. Kryeministri ka krijuar tashmë një rejting dhe figurë të vetën të qendrueshme, të konsoliduar. Ai mund të ndryshojë vetëm në situata kritike. Ndërkohë, një raport i tillë ndikimi do të ruhet vetëm deri në periudhën e zgjedhjeve, shkruan gazeta “Vedomosti”. Opinioni i qytetarëve përkatësisht Dimitri Medvedievit mund të ndryshojë në mënyrë serioze në qoftë se do të dalë, se ai do të mbetet për afat të dytë në postin e presidentit.

Komentimi i Artikullit të ditës


Drejtori i Përgjithshëm i Qendrës së Informacionit Politik Aleksei Muhin mendon, se tani për tani kurrëfarë koniukture politike nuk është në gjendje të tundë themelet e tandemit të krijuar drejtues: “Presidenti në mënyrë tepër të qartë e të hapur i jep preferencë Vladimir Putinit, si njeriut që vepron në sferën ekonomike, ndërsa ky i fundit, duke gjykuar nga të gjitha, ia la vullnetarisht në duar lëmin politik Medvedievit. Fakti, se, praktikisht, nuk ka kurrëfarë shfaqjesh të jashtme pakënaqësie (ndërsa pjesëmarrësit e tandemit me të gjitha mënyrat nënvizojnë se midis tyre nuk ka divergjenca, moskuptime), nuk eliminon megjithatë njëfarëlloj tendosjeje ndërmjet grupeve të ndikimit, të cilat presin me padurim shfaqjen e mosmarrëveshjeve me qëllim që të fillojnë luftën për rindarjen e pasurisë në Rusi. Si rezultat u krijua një sistem mjaft stabil politik, i cili prehet mbi dafinat e marrëveshjes prej xhentelmenësh midis Presidentit dhe Kryeministrit.

 



Nga ana e vet Presidenti i Institutit të Strategjisë Kombëtare Stanisllav Bjellkovskij nuk është aspak i predispozuar të mbivlerësojë rezultatet e anketimit sociologjik. Ai mendon, se tandemi ekzistues drejtues në Rusi nuk pasqyron raportin e vërtetë të ndarjes së forcave politike: “Unë mendoj, se tandemi nuk është institut i pushtetit. Ai, më tepër, është konstruksion mitologjik. Në Rusi gjatë shumë e shumë vitesh me radhë ka qenë rrënjosur në koshiencë një perceptim i tillë, se burimi publik i pushtetit mund të ishte vetëm një njeri-kryetari i shtetit, monarku. Me këtë ka qenë e lidhur përherë vetëdija tradicionale monarkike e popullit tonë. Vladimir Putin në rastin konkret, ngjason më shumë me shtojcën e institutit të monarkisë dhe luan rolin e simbolit të atij stabiliteti që u rivendos në Rusi për 8 vjet e gjysëm të drejtimit të tij në postin e presidentit.