Miliona qirinj përkujtimorë u ndezën këtë natë anembanë Rusisë. Vendi pikëllohet duke përkulur kokën në shenjë kujtimi e nderimi të thellë për të rënët në Luftën e Dytë Botërore. 22 qershori është dita më tragjike në historinë e Rusisë. Plot 68 vjet më parë në një mëngjes po të tillë të ngrohtë dhe të qetë Gjermania fashiste sulmoi Bashkimin Sovjetik dhe filloi lufta e tmerrshme e gjakderdhëse, e cila mori miliona jetë njerëzore, u rrëmbeu fëmijëve prindërit, nënave bijtë, la familje të tëra pa strehë mbi kokë. Sot, praktikisht, nuk kanë mbetur më ndër të gjallët ata që morën mbi vete në orën 4 të mëngjesit betejën e parë. Po vijnë duke u pakësuar edhe rradhët e atyre që mbrojtën tokën mëmë nga okupatorët e pabesë. Por kujtimin e mbrojtësve të atdheut brezi i ri do të ruajë me përkushtim ndër shekuj. Fiks më 4 të mëngjesit në të gjitha qytetet e Rusisë filluan ceremonitë funerale. Mijëra njerëz u mblodhën në Moskë pranë Zjarrit të Amëshuar në parkun Aleksandrovskij, në kodërvarrin në bregoren e Kurganit, në vendin e njërës prej betejave më të tmershme metronomi numëroi minutën e heshtjes, gjatë së cilës të gjithë njerëzit e mbledhur atje lëshuan në ujin e sipërfaqes së liqenit Slez qirinj të ndezur. Në Tulë dhe Kostroma njerëzit me karafilë të freskët në duar drejtoheshin për tek obeliskët e luftëtarëve të rënë. Midis atyre që erdhën për të nderuar kujtimin e të rënëve kishte shumë të rinj e të reja, të cilët kanë dëgjuar për tmerret e luftës nga tregimet e gjyshërve e gjysheve të veta. Dhe shumë pak dëshmitarë okularë të atyre ditëve. Ndër ta edhe gjeneral-majori, veterani Luftës së Dytë Botërore Viktor Novikov, i cili në qershor të vitit 1941 sapo përfundoi shkollën: “Më 15 qershor të vitit 1941 unë kryesoja kampin e pionierëve, i cili ishte vendosur në një kazermë ku vinin nënarmësit (rekrutët) nga komisariati ushtarak rajonal. Godina ishte e lirë, plot një javë më vonë filloi lufta. Ajo filloi në 4 të mëngjesit, kurse pas 30 minutash dëgjohet një e trokitur në derë. Vjen një person nga komisariati ushtarak dhe thotë: lëroni godinën. Mbas një ore këtu do të vijnë të mobilizuarit. S’kaluan as 2 orë kur filluan të vijnë njerëz me qerre nga fshatrat përreth. Kurse në mëngjes, aty nga ora 10-12 ata u nisën për në front. Dhe të gjitha këto ndodhën jo në Moskë, por në fshatin e largët siberian, në tajgë, ku stacioni më i afërt ishte 160 kilometra larg. Të gjithë mendonin se kjo ishte një shetitje. Do shkojmë, do luftojmë. Sepse neve na patën instruktuar kështu: do të luftojmë vetëm në territor të huaj. Por në të vërtetë doli krejtësisht ndryshe. Ja se si filloi për mua lufta, djaloshin nga fshati i largët siberian. Ndërsa më pas unë luftova plot 3 vjet”, tha veterani. “Unë gjatë gjithë jetës sime e kujtoj atë ditë, 22 qershorin e vitit 1941, vazhdon më tej Viktor Novikov. Ajo ndryshoi në mënyrë rrënjësore gjithë jetën time, dhe jo vetëm timen. Dhe sa të kem forca e mendje të kthjellët do të vazhdoj tu tregoj për tmerret e luftës nipërve e mbesave dhe shokëve të tyre me qëllim që të mos e fshijnë kurrë nga kujtesa”, tha ai. Dhe të rinjtë e mbajnë mend për mrekulli këtë. Ata, që erdhën në mëngjes herët tek obeliskët e Lavdisë, ata që ndezën qirinj përkujtimorë përshpirtjeje dhe i vunë ato në dritare në kujtim të të rënëve dhe atyre që bënë qëndresë në Luftën e Dytë Botërore.