Të mërkurën, më 17 qershor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së shqyrtoi situatën në Kosovë. Përfundimet nuk janë aspak ngushëlluese: OKB-ja si dhe më parë mbetet e përçarë, kurse në krahinë vazhdon të ruhet rreziku kërcënues real i përleshjeve e përplasjeve të reja serbo-shqiptare. Shkaqet e paaftësisë së OKB-së për të marrë nën kontroll rregullimin e problemit kosovar do ti analizojë në materialin e vet vëzhguesi i “Zërit të Rusisë”, kandidati i shkencave historike, Pjotër Iskenderov. Autori shkruan: Në raportin e Ban Ki Mun-it përmbahen një sërë konstatimesh mjaft të drejta përkatësisht situatës aktuale në Kosovë. Në dokument vihet në dukje, se autoritetet shqiptare vendase mbajnë vetëm “një kontakt minimal” me Misionin e OKB-së dhe bile kërkojnë largimin e tij nga krahina. Ato referohen tek ai argument, se Rezoluta e Këshilllt të Sigurimit të OKB-së № 1244 e 10 qershorit të vitit 1999 sikur, gjoja, “nuk ka të bëjë më me problemin, dhe se ato nuk kanë kurrëfarë detyrimi ligjor për t’iu përmbajtur asaj”. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së njofton me shqetësim, preokupim të madh mbi “serinë e incidenteve” që kanë ndodhur në rajonet serbe, ku banojnë në mënyrë kompakte serbët kosovarë. Por në raportin në fjalë mungon, sipas mendimit tim, gjëja më kryesore-strategjia e veprimeve të mëtejshme të OKB-së në Kosovë- që lejon ta karakterizosh atë si të “pa dhëmbë”. Thirrja, drejtuar “gjithë komuniteteve dhe qeverive të Prishtinës dhe Beogradit” për “të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë me qëllim të uljes së tensionit dhe gjetjes së rrugëzgjidhjes paqësore të problemit”, është maksimumi i asaj që mori guximin të shprehë zoti Ban Ki Mun, i cili duket mëse qartë se ndodhet në rrjetën robëruese të mirazheve. Në raport nuk ka as konfirmim të saktë e të qartë të tërësisë territoriale të Serbisë, as anulim të deklaratës së paligjshme mbi pavarësinë e Kosovës, megjithëse një të drejtë të tillë ia jep OKB-së rezoluta № 1244. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, me sa duket nga të gjitha, i ka futur masa të tilla në “listën e vet të zezë” nën presionin e Perëndimit, me qëllim që të mos pengohen SHBA-s, BE dhe NATO të realizojnë edhe më tej skenarët e vet për rindarjen e kufijve në Ballkan dhe Evropë. Paaftësia e udhëheqjes aktuale të OKB-s për zgjidhjen e problemit të Kosovës bie në kontrast të dukshëm me përpjekjet aktive të kësaj Organizate, që me direktivën e drejtpërdrejtë të fuqive perëndimore, ti imponojë komunitetit botëror vizionin e vet të situatës në Abkhazi dhe Osetinë e Jugut. Kur fjalë bëhet për Kaukazin, edhe Ban Ki Mun, edhe SHBA-s, edhe liderët e BE shfaqin menjëherë ashpërsi, rreptësi dhe vendosmëri të paparë në mbrojtjen e tërësisë territoriale, gjë që e demonstruan fare qartë rezultatet e mbledhjes së paradokohshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Abkhazinë. Dhe kjo gjë nuk të habit aspak në qoftë se do të merret parasysh fakti se fuqitë perëndimore dhe strukturat ndërkombëtare që kontrollohen prej tyre po përpiqen të vënë në jetë planet e veta në hapësirën postjugosllave, mendon ekspertja e Katedrës së politologjisë krahasuese të Universitetit MGIMO Elena Ponomarjova, e cila kujtoi në lidhje me këtë procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë unike: “Vetë pjesëmarrësit e këtij “divorci” nuk patën kurrëfarë mundësish për të zhvilluar negociata, sepse pikërisht në territorin e Jugosllavisë u aplikua teoria e kaosit të kontrolluar, të drejtuar. Kuptimi i kësaj teorie konsiston në krijimin e një numri sa më të madh shtetesh të vegjël dhe situatës së lëvizjes kaotike, me qëllim që ajo të mund të drejtohej nga një qendër konkrete. Këto qendra ndodhen jo vetëm në Uashington apo Bruksel, por edhe në selitë e korporatave kryesore transnacionale, të cilat janë të interesuara për rindarjen globale të rezervave botërore”, mendon Elena Ponomarjova. Dhe me të vërtetë, kur fjalë bëhet për lojrat gjeopolitike dhe energjetike globale, mund të injorohen pa problem edhe rezolutat, edhe interesat e popujve të tërë. Veçanërisht nga ata që nuk kanë ndonjë dëshirë të zjarrtë për të ndjekur udhëzimet e Perëndimit…