Situata rreth Koresë së Veriut si dhe problemet që kanë të bëjnë me realizimin e programeve bërthamore të Iranit dhe Sirisë, do të diskutojnë anëtarët e Këshillit të Drejtorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (ANEA) në sesionin e radhës, i cili u hap sot, më 15 qershor, në Vjenë. Raportin me këto çështje e paraqet Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Muhammed al-Baradei. Alarmim më të madh në radhët e komunitetit botëror shkaktojnë ambiciet bërthamore të Phenianit. Por ANEA nuk mund të kontrollojë dot situatën në Korenë e Veriut, sepse inspektorët ndërkombëtarë u larguan nga ky vend. Edhe në lidhje me Iranin ekzistojnë çështje të pazgjidhura përkatësisht programit të tij bërthamor. Në lidhje me Sirinë ANEA po përpiqet të qartësojë prejardhjen e grimcave të uraniumit në vendin e asgjesimit të kompleksit në Dajr-ez-Zaure dhe në reaktorin me përmasa jo të mëdha në Damask. Siç deklaroi në intervistën dhënë për radiokompaninë “Zëri i Rusisë” bashkëpunëtori i Institutit të Ekonomisë Botërore dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Akademisë së Shkencave të Rusisë Vladimir Jevsejev, problemet bërthamore të shteteve të sipërpërmendura shkaktojnë preokupim serioz: “Në këtë mënyrë, tani ekziston një problem shumë serioz, dhe pikërisht ai, se i gjithë regjimi i mospërhapjes së armës bërthamore mund të shkatërrohet. Unë mendoj, se Këshilli i Drejtorëve të ANEA-s mund të gjejë plotësisht rrugëzgjidhje të drejta. Në të njëjtën kohë duhet kuptuar se në përbërjen e këtij Këshilli hyn, për shembull, Irani, i cili do të kërkojë mbështetjen e pozitës së vet midis anëtarëve të tjerë”, u shpreh ai. Në tërësi, ANEA del për atë, që shtetet problematike të shfaqin një shkallë më të lartë bashkëpunimi dhe më tepër sinqeritet e transparencë në marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar. Vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet në masë të plotë regjimi i mospërhapjes së armës bërthamore.