Samiti dyditor i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSH), që u hap sot në Ekaterinburg, është i destinuar për tërheqjen e një vemendjeje të madhe. Kriza ekonomike globale, debatet rreth burimeve energjetike, acarimi i situatës në rajonet e mbarsura me konflikte të hapësirës euroaziatike e detyrojnë botën të kërkojë rrugë të reja vetëorganizimi. Dhe OBSH është plotësisht e aftë të bëhet një nga rregullatorët kryesorë të botës shumëpolare. Mbi të nesërmen e Organzatës në fjalë përsiat vëzhguesi i “Zërit të Rusisë”, kandidati i shkencave historike, Pjotër Iskenderov. OBSH erdhi duke marrë peshë gradualisht, ngadalë, por në mënyrë të pakthyeshme, vendosmërisht. E lindur fillimisht në vitin 1996 si “Pesëshja e Shangait”, e destinuar për të zgjidhur çështjet e forcimit të mirëbesimit në sferën ushtarake dhe reduktimit reciprok të forcave të armatosura në rajonet pranëkufitare, aktualisht ajo është një ndër institutet kryesore botërore. Potenciali i tanishëm i OBSH përfshin 61 % të territorit të EuroAzisë, 1/4 e popullsisë së planetit, si dhe ekonomitë e Rusisë dhe Kinës, të cilave u profetizojnë rolin e liderëve ekonomikë të ditës së nesërme. Përveç kësaj, statusin e “mysafirëve” në OBSH e kanë marrë tashmë edhe dy Organizata të mëdha rajonale-Bashkësia e Shteteve të Pavarura (BSHP) dhe ASEAN-i, gjë kjo që i jep një peshë e autoritet akoma dhe më të madh asaj në zgjidhjen e problemeve botërore. Ndryshimi principial i OBSH nga organizata të tilla evropiane si NATO dhe BE konsiston në afërsinë maksimalisht të madhe të saj me rajonet botërore të pasura me lëndë energjetike, me territoret e mbarsura me konflikte rajonale, që vazhdojnë të mbeten dhimbje koke për evropianët. Në Ekaterinburg vemendje kryesore planifikohet ti kushtohet problemit afgan. Me rregullimin e këtij problemi tashmë po merren që prej shumë vitesh SHBA-s, BE dhe NATO, ndërsa situata atje po vjen duke u keqësuar gjithnjë e më shumë. Shkak i kësaj është injorimi i interesave të vetë afganëve dhe shteteve fqinje të Afganistanit në rajon të tillë si Pakistani, Irani, India. Kurse në kuadrin e OBSH të gjitha këto vende kanë një status të përcaktuar qartë dhe gëzojnë të drejtën e votës. OBSH ka edhe një përparësi tjetër karshi organizatave “tradicionale” evropiane. BE dhe NATO përpiqen aktivisht të forcojnë pozitat e veta ushtarako-politike përtej kufijve të territorit vetiak dhe zonës së përgjegjësisë së tyre-në Ballkan, Afrikë dhe në po atë Afganistan. Që këtej rrjedhin edhe problemet e mirëkuptimit me Rusinë dhe vendet e tjera, të pakënaqura nga “zgjerimi” kokëfortë, këmbëngulës i NATO-s dhe BE. OBSH nuk shtron si qëllim përpara vetes zgjerimin e vet territorial dhe demonstrimin e “lojës me muskujt”. Ajo del për krijimin e mekanizmave të rregullimit të problemeve rajonale, përveç të tjerash, edhe në interes të vetë evropianëve. Sepse programet bërthamore të Iranit, Indisë dhe Pakistanit, narkotrafiku nga Afganistani e preokupojnë me plot të drejtë Evropën. Por eropianët nuk do të mund ti zgjidhin dot këto probleme pa Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait. Kryetari i Komitetit për çështjet ndërkombëtare të Dumës Shtetërore të Rusisë Konstantin Kosaçov as që e vë fare në dyshim potencialin e qenësishëm të bashkëpunimit midis OBSH dhe Evropës: “OBSH është struktura interguese me zhvillimin më dinamik në mbarë rajonin euroaziatik dhe rezervat për rritjen e saj janë mjaft të mëdha. Ekziston një kompleks i tërë sfidash dhe kërcënimesh “të reja”, me të cilat strukturat klasike nuk ia dalin dot punës mbanë. Këto janë: terrorizmi ndërkombëtar, ekstremizmi fetar, separatizmi, emigracioni i pakontrollueshëm klandestin, narkotrafiku. Me këto tema nuk mund të merren dot efektivisht as OKB-ja, as NATO, e cila po përpiqet të marrë mbi vete përgjegjësinë në po atë Afganistan. Neve na duhet të merremi vetë me këto çështje. Kështu që OBSH ka rezerva tepër të mëdha dhe perspektiva zhvillimi të mëtejshëm”, shprehet me bindje të plotë Konstantin Kosaçov.