U mbushën plot 210 vjet që nga dita e lindjes së Aleksandër Sergejeviç Pushkinit, të cilin shpesh e quajnë “diell i poezisë ruse”. Librat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja, ata janë të dashur si për lexuesit në Rusi, ashtu dhe ata jashtë kufijve të saj. Po përse e duan dhe e vlerësojnë, në fakt, kaq shumë Pushkinin? Ndoshta gjithësejcili ka përgjigjen e vet ndaj kësaj pyetjeje. Ne do të bëjmë publik mendimin e patriarkut të letërsisë ruse Fazil Iskander, laureatit të çmimit letrar me emër të Pushkinit: “Në mënyrë koshiente apo inkoshiente artisti i vërtetë krijon një realitet të dytë, i cili na ndihmon ne që të mbijetojmë në realitetin e parë. Unë mendoj se më mirë nga të gjithë këtë gjë arriti ta bëjë Pushkini, mendon Fazil Iskander. Ai ndodhet përherë shumë përpara nesh në kohë, dhe jo pas! Pushkini zotëron një veti, cilësi të mrekullueshme: ai bën më të urtë e më të mençur rininë dhe rinon pleqërinë. Ai, me sa duket, arriti të kuptojë: se njeriu është i pandreqshëm, se ai nganjëherë bën budallallëqe-nga xhelozia, zemërligësia, inati, cmira, lakmia … Ndërsa kjo do të thotë se, duhet mëshuar mbi ndofarë sustesh të rëndësishme që të sillet njeriu në normë. Dhe një nga këto susta, sipas mendimit të Pushkinit, është harmonia. Në veprat e tij është gjithkund e pranishme harmonia e mrekullueshme, shpëtimtare, si në vjersha, ashtu dhe në prozë. Kur ne e ndjejmë veten keq, shpirtzbrazur, marrim në duar ndonjë vëllim të Pushkinit dhe zhytemi në lexim- dhe marrim menjëherë sinjalin: se jo gjithçka mund të quhet e humbur në këtë jetë! Se mund të dilet nga errësira, terri i plotë në dritë! Nuk duhet të dorëzohemi e të lëshohemi shpirtërisht! Po, njeriu është vërtet i pandreqshëm, por Pushkini i madh e shikon atë me buzëqeshje, duke i falur atij dobësitë dhe gabimet. Shumë heronj e personazhe pushkiniane nuk janë aspak engjëj! Por vetë harmonia e gjuhës së tij na qetëson ne. Harmonia është e përjetshme, ndërsa kjo do të thotë, se bota nën këtë hënë nuk është dhe aq e keqe. Pushkini gjithë kohës na e kujton ne këtë gjë. Në zemërgjerësinë, shpirtmirësinë e vet ai është po aq i madh, si dhe në krijimtarinë e vet artistike. Ai, mendoj unë, i është bërë Rusisë dhuratë nga Perëndia për të kompensuar klimën tonë të ashpër. Ne ngrohemi pranë vatrës së tij: kështu ka ndodhur 100 vjet më parë dhe kështu do të ndodhë, ndoshta, gjithmonë. Pushkini është ilaçi më i mirë kundër stresit trishtimit e dëshpërimit, shprehet shkrimtari i njohur rus Fazil Iskander.