Përfaqësuesit e udhëheqjes së dy fraksioneve ukrainase me numrin më të qenësishëm të anëtarëve-Partia e Rajoneve dhe Blloku i Julia Timoshenkos (BJT), pranuan zyrtarisht se po zhvillojnë negociatat për ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta në parlament. Duke kapërcyer divergjencat ata kanë ndërmend të krijojnë koalicionin antipresidencial dhe të vendosin në vend formën parlamentare të drejtimit. Deri tani divergjencat midis Lindjes dhe Perëndimit të vendit nuk i jepnin mundësi partive që të bashkohen. Me sa duket nga të gjitha, ka ardhur koha e ndryshimeve, mendon politologu ukrainas Mihaill Pogrebinskij: “Kurrë ndonjëherë më parë ne nuk kemi patur situata të tilla, gjatë të cilave, partitë politike që përfaqësojnë nga njëra anë Lindjen dhe Jugun, ndërsa nga ana tjetër Perëndimin dhe Qendrën, domethënë Partia e Rajoneve me në krye Viktor Janukoviçin dhe Blloku i Julia Timoshenkos me në krye atë vetë, të uleshin në tryezën e bisedimeve për përpilimin e konceptit të përgjithshëm të zhvillimit të vendit, për bërjen e amendamenteve në Kushtetutë e kështu me radhë…”, u shpreh politologu. Një nga detyrat kryesore të bashkimit të Partisë së Rajoneve dhe BJT është realizimi i amendamenteve në Kushtetutën e vendit. Sipas mendimit të Timoshenkos dhe Janukoviçit, Ukraina duhet të shndërrohet nga republikë presidencialo-parlamentare-në republikë parlamentare. Në këtë rast kryetarin e shtetit do ta zgjedhë Verhovnaja Rada (parlamenti). Presidenti nuk do të ketë plotfuqishmëri për të kontrolluar veprimtarinë e Kryeministrit dhe për të bllokuar aktet normative të qeverisë. Në të njëjtën kohë atij i mbetet në dorë kontrolli mbi drejtuesit e dikastereve ushtarake dhe e drejta e shpërndarjes së parakohëshme të parlamentit gjatë rrethanave të veçanta. Siç dhe duhej pritur, Presidenti veprues Viktor Jushçenko mbajti një qendrim tejet negativ ndaj kësaj ideje. Por në politikën ukrainase gjithmonë rëndësi të madhe merr llogaria, aritmetika. Në një situatë të tillë mund jo vetëm të kapërcehet çdo veto e Presidentit mbi çdo ligj ekzistues, por bile mund të ndryshohet edhe vetë rendi kushtetues, duke e shndërruar Ukrainën në republikë parlamentare.