Në korin e politikanëve evropianë, që bëjnë agjitacion aktiv midis qytetarëve të vet për tu paraqitur pranë kutive të votimit më 7 qershor, dallohet veçanërisht fjalimi i së shtunës i Kancelares gjermane Angela Merkel së bashku me Presidentin francez Nikola Sarkozi. Me çfarë argumentesh u përpoqën ata ti jepnin zemër e guxim, të inkurajonin pjesën apatike të elektoratit Evropian? Këtë fakt e komenton Sergei Guk, vëzhgues i radiokompanisë “Zëri i Rusisë”. Autori shkruan: Të dy liderët ëndërrojnë për një “Evropë të fortë”. Jo, jo për një Evropë burokratike me plotfuqishmëri tejet të fryra, të hiperbolizuara dhe dëshirën e kamufluar mirë për të marrë në duart e veta rregullimin e të gjitha gjerave pa përjashtim. Por për modelin ideal të saj, gjatë të cilit të merren parasysh shumëllojshmëria dhe origjinaliteti i të gjithë 27 anëtarëve. Flitet mbi domosdoshmërinë e ndalimit të zgjerimit pafund të BE, i cili kërcënohet që të bëhet i padrejtueshëm, i pakontrollueshëm. Evropa duhet të jetë jo thjesht e fortë, por edhe të luajë “rol drejtues në botë”. Për këtë, sipas mendimit të duetit politik, duhet fare pak gjë: hyrja në fuqi e Traktatit të shumëvuajtur të Lisbonës. Pengesë kryesore për këtë bëhet Irlanda e paepur, kokëfortë. Shpresat për miratimin e rregullave të reja përkatësisht rregullimit të sektorit financiar lidhen me pjesëmarrësit e Samitit të qershorit të BE. Të gjitha përpjekjet e mëparshme për luftimin e së keqes kanë përfunduar me dështim të plotë, janë thyer si valët pas shkëmbit, për shkak të pozitës së papërkulur të SHBA-s. Dhe, së fundi, thirrja për respektimin e të drejtave të njeriut, e cila në gojët e politikanëve është bërë tashmë që prej shumë kohësh diçka e ngjashme me fjalën “Amin” të shërbyesve të klerit. Disi e pakuptueshme ka mbetur tani vetëm ajo, në se i adresohet vallë ajo të gjithëve pa përjashtim, duke përfshirë këtu edhe vetë evropianët?