Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev në Mesazhin e vet buxhetor drejtuar Qeverisë së Federatës Ruse propozoi planifikimin e shpenzimeve të shtetit duke u nisur nga parashikimet konservative të të ardhurave të vendit. Buxheti i ardhshëm duhet të bëhet garanci e stabilitetit të ekonomisë. Rrjedhimisht, ai duhet të përpilohet në mënyrë të tillë që të mos të jemi të detyruar më vonë të ndërmarrim me nxitim korrektimin e tij dhe të jetojmë në ankth për shkak të asaj se nuk do të na mjaftojnë mjetet financiare për ndofarë programesh të planifikuara. Presidenti Dimitri Medvediev i rekomandoi me këmbëngulje qeverisë që të marrë parasysh gjatë përpilimit të buxhetit rënien aktuale mjaft serioze të vëllimit të përgjithshëm të produktit të brendshëm dhe që të mbështet në uljen e mundshme të çmimit të naftës deri në pikën, treguesin kritik. Në tërësi, asgjë e rrezikshme nuk e pret Rusinë si rezultat i krizës ekonomike botërore, mendon politologu rus, anëtari i Dhomës Shoqërore Aleksei Çadajev. Ja si e komentoi ai përpara mikrofonit të “Zërit të Rusisë” Mesazhin buxhetor presidencial: “Nuk mund të thuhet, se ne po përgatitemi për më të keqen. Ne, thjesht, po fiksojmë njëfarë lloj keqësimi të një sërë treguesve makroekonomikë. Kjo situatë është e ngjashme, të themi, me thatësirën në komunitetin agrar. Pra, kur do të ketë të korrura më të pakta, por me shpërndarjen racionale e të drejtë të asaj që do të arrihet të grumbullohet, do të shmanget uria. Në qoftë se ne mund t’i lejonim vetes më parë të shihnim me indiferentizëm, pa e vrarë shumë mendjen shpenzimin jo racional dhe aspak efektiv të mjeteve financiare, aktualisht ne nuk mund t’ia lejojmë dot vetes një luks të tillë”, thotë Aleksei Çadajev. Presidenti i Rusisë tashmë i përcaktoi prioritetet e politikës buxhetore. Qeveria gjatë përgatitjes së dokumentit kryesor financiar të vendit do të marrë, sigurisht, parasysh dëshirat e kryetarit të shtetit. Por do ta paraqesë projekt buxhetin jo në muajin gusht, si zakonisht, por në tetor, meqenëse ka lindur domosdoshmëria e rishikimit të shumë parametrave.