Të hënën, më 25 maj, RPD e Koresë deklaroi zyrtarisht mbi zhvillimin e suksesshëm të provës së vet të dytë bërthamore. Po cilat janë pasojat e këtij hapi për sigurinë radioaktive të Rusisë, Evropës, botës mbarë? Çfarë mund t’i kundërverë komuniteti ndërkombëtar, BE një shkeljeje të tillë kaq brutale të regjimit të mospërhapjes së armës bërthamore? Kryetari i Presidiumit të Këshillit për politikën e jashtme dhe politikën e mbrojtjes të Rusisë Sergei Karaganov shprehet në lidhje me këtë si vijon: “Unë mendoj, se Evropa do të shprehë, patjetër, pakënaqësinë e vet, por ajo, për fat të keq, nuk disponon asnjë instrument për ndikimin ndaj situatës së krijuar, po ashtu si dhe, në fakt, ndaj situatave të tjera mjaft serioze në sferën e politikës së jashtme, politikës së sigurimit. Por, sot nuk arritën t’ia dalin dot punës mbanë, ç’është për të ardhur keq, edhe lojtarë të tillë të mëdhenj e me peshë në arenën ndërkombëtare si SHBA-s, Kina, Rusia. Dhe kjo është një goditje mjaft e rëndë, për të mos thënë vdekjeprurëse, mbi gjithë regjimin e mospërhapjes së armës bërthamore. Pavarësisht nga të gjitha pengesat që iu krijuan, Koreja e Veriut e dobët, e vobektë, arriti të krijojë edhe armën bërthamore, edhe mjetet e mbartjes së saj. Kjo gjë tashmë u provua faktikisht. BE nuk i mbetet gjë tjetër veçse të shprehë zhgënjimin, deziluzionimin dhe dënimin e vet. Dhe asgjë tjetër më shumë! Po reagimi i Rusisë? Padyshim që është tejet negativ. Me që ra fjala, ne kemi pakëz më tepër mundësi se sa evropianët për të ndryshuar situatën. Me sa duket nga të gjitha, duhet një politikë më elastike, më elokuente ndaj RPD të Koresë. Këshilltari i Akademisë së Shkencave të Rusisë, Kryetari i fraksionit “Zeljonaja Rassija” (“Rusia e Gjelbërt”) dhe Partisë “Jablloko” (“Molla”), ekologu më i njohur në vend Aleksei Jabllokov reagoi në mënyrë të papritur përkatësisht shpërthimeve verikoreane: “Për nga pikëpamja ekologjike shpërthimi i nëndheshëm bërthamor i realizuar nga Koreja e Veriut nuk shkakton kurrëfarë problemesh të veçanta… Të vjen keq për diçka tjetër, dhe më tepër për atë, se pikërisht ne, Bashkimi Sovjetik, Rusia, kemi gisht në atë që ndodhi. Sepse reaktorët e parë verikoreanëve iu dhanë pikërisht nga Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike. Një politikë aspak largpamëse kjo, ku është parë e dëgjuar një gjë e tillë, që të ndihmosh në krijimin e potencialit bërthamor fqinjët pranë kufijve të tu jugorë! Mendoj se provat bërthamore në Gadishullin e Koresë janë një goditje e fuqishme mbi programin e mospërhapjes së armës bërthamore. Sepse do të dalin tani edhe të tjerë të cilët do të thonë: në qoftë se kjo i lejohet Koresë së Veriut, atëhere rrjedhimisht na lejohet edhe ne…