Rusia ka ndërmend të paralajmërojë Evropën për rrezikun kërcënues të luftës së re të gazit nga ana e Ukrainës. Kjo temë, sipas deklaratës së përfaqësuesit të Kremlinit, do të shtrohet hapur dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Presidenti Dimitri Medvediev në Samitin Rusi-BE në Habarovsk. Vëzhguesi i radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Konstantin Garibov do të na njohë më hollësisht me zhvillimin e mëtejshëm të këtij aktiviteti. Moska është e preokupuar në lidhje me ekzistencën e rrezikut kërcënues të minimit të marrëveshjeve të gazit me Kievin që garantojnë furnizimin e lëndëve hidrokarbure ruse në Evropë. Arsye serioze për këtë janë bërë deklaratat e Presidentit të Ukrainës Viktor Jushenko mbi marrëveshjet e paleverdisshme me Rusinë si edhe synimet e tij për moslejimin e krijimit të mekanizmit të pagesës për gazin rus. Ja përse kjo temë do të iniciohet nga Presidenti i Rusisë në Samitin në Habarovsk dhe, duhet thënë, pikërisht nën këndvështrimin e përbashkët me BE të kërkimit të rrugëve për realizimin e transitit pa ndërprerje të gazit rus për konsumatorët evropianë. Ja se çfarë mendon Aleksei Bellogorjev, drejtuesi i dikasterit të studimeve të degës së gazit të Institutit të problemeve të monopoleve të natyrshme: “Shembulli më aktual i situatës së mbarsur me konflikt është, sigurisht, transiti i gazit rus nëpërmjet territorit të Ukrainës. Për një sërë shkaqesh të brendshme politike dhe ekonomike Ukraina bllokoi transitin e gazit rus në Evropë. Ose Rusia u detyrua që ta ndërpriste atë për shkak se Ukraina, faktikisht, përvetësonte në mënyrë të pasanksionuar vëllime të mëdha gazi nga gazsjellësit transportues transitorë. Është e domosdoshme që të vihet në veprim një mekanizëm i ri për zgjidhjen e problemeve të diskutueshme. Ai është hedhur në themel të iniciativës energjetike të Presidentit Dimitri Medvediev.