Zëri i Rusisë Samiti Rusi-BE po zhvendoset gjithnjë e më larg në drejtim të Lindjes. Vitin e kaluar ai u zhvillua në Hanti-Mansijsk, në kryeqytetin e njërit prej rajoneve të Uralit të Federatës Ruse. Nesër, më 21 maj, udhëheqësit rusë dhe evropianë do të mblidhen në Habarovsk, larg Evropës. Vëzhguesi ynë i pavarur Boris Tumanov vazhdon të përsiatë në lidhje me këtë temë. Po përse pikërisht në Habarovsk? Përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje ai e gjeti në fjalët e Dimitri Medvedievit. Sipas mendimit të Presidentit rus, ky qytet u zgjodh me qëllim që t’u lejojë liderëve evropianë “ta ndiejnë sa më mirë Rusinë” dhe “që të bëhen më të kuptueshme marrëdhëniet ruso-evropiane”. Aq më tepër, shtoi ai, se ne e konsiderojmë këtë territor si hapësirë evropiane në kuptimin më të gjerë të këtij termi. Pala ruse do ta shfrytëzojë këtë mundësi që të sqarojë sa më hollësisht e në mënyrë të detajuar iniciativat e veta të paradokohshme në lidhje reformën e strukturave të sigurimit evropian dhe përpunimin e bazës juridiko-ndërkombëtare të bashkëpunimit energjetik në përmasa të gjera botërore. Do të ishte hiperbolizim të thuhej se Moska shpreson në miratimin e menjëhershëm dhe pa kushte të propozimeve të veta. Bile mund edhe të presupozohet se për Rusinë programi-maksimum në Samitin në Habarovsk konsiston vetëm në atë, që të ftohen liderët evropianë në një diskutim të sinqertë në lidhje me këtë problematikë, në një diskutim i cili të bënte të mundur kërkimin e rrugëzgjidhjeve të përbashkëta të këtyre çështjeve tejet të rëndësishme si për Rusinë, ashtu edhe për Evropën. Vitet e fundit sollën jo pak keqkuptime dhe mosmarrëveshje në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Evropës. Në të njëjtën kohë të dhënat statistikore, të publikuara nga Agjencia Eurostat në vigjilje të Samitit në Habarovsk, pasqyrojnë tendencën evidente sa pozitive aq dhe stabile në bashkëpunimin ekonomik midis Rusisë dhe BE. Shkëmbimi ekonomik midis vendeve të BE dhe Rusisë gjatë tetë viteve të fundit është i aftë që të shtyjë Moskën dhe Brukselin drejt një bashkëpunimi më efektiv edhe në sferën politike.