Zëri i Rusisë Në kryeqytetin rus të dielën përfundoi maratona e këngës “Eurovision-2009”. I zgjedhuri, i përkëdheluri i fatit u bë në këtë konkurs norvegjezi me prejardhje bjelloruse. Aleksandër Ribak arriti të grumbullojë 387 pikë duke lënë pas me këtë rezultat në mënyrë të qenësishme konkursantët më të afërt. Në vendin e dytë u rendit këngëtarja nga Islanda-Johana, kurse në të tretin-dueti nga Azerbajxhani Ajsel dhe Arash. Pikërisht gjatë kohës së zhvillimit të konkursit të këngës “Eurovision, më 13 maj, Aleksandri mbushi 23 vjeç, kurse fitorja e tij në të u shpall më 17 maj, në Ditën e Kushtetutës së Norvegjisë. Në Ambasadën e Norvegjisë gjatë kremtimit të festës kombëtare, sigurisht, që në qendër të vemendjes u ndodhën Aleksandri dhe prindërit e tij, Natalia dhe Igor Ribak. Korrespondenti ynë arriti të intervistojë në këtë pritje edhe Aleksandrin, edhe prindërit e tij. Ja se ç’thonë babai dhe mamaja e këngëtarit fitues: “- Igori (babai): Ne në këto momente po provojmë një lumturi të trefishtë. -Natalia (mamaja): “Një gëzim të papërshkruar!”. -Igori: “Së pari, sot është festa kombëtare e Norvegjisë, Dita e Kushtetutës. Së dyti, Sasha u shpall fitues i konkursit “Eurovision-2009”. Ky është një eveniment i mrekullueshëm. -Natalia: “Ne kishim besim të madh në debutimin e suksesshëm të Sashës në konkurs. Ndërsa ai doli edhe fitues në të. Gëzimi ynë, në kuptimin e plotë të fjalës, është i pakufijshëm!”. Ja se ç’i tha korrespondentit tonë vetë Aleksandër Ribak: “Në Moskë unë kam qenë për herë të parë 7 vite të shkuara. Kjo u bë një ngjarje e paharruar për mua. Dhe, ja tani, unë ndodhem sërish në Moskë. Pjesëmarrja në konkursin “Eurovision-2009”, i cili u zhvillua këtu është një ngjarje e madhe dhe jashtëzakonisht e rëndësishme në jetën time. Unë jam i kënaqur me rezultatin e arritur, unë jam tejet i lumtur! ”.