Zëri i Rusisë Problemet aktuale social-ekonomike, mundësitë e kapërcimit sa më të shpejtë të krizës financiare botërore dhe perspektivat e aktivizimit të bashkëveprimit ndërkombëtar janë temat kryesore të konferencës ndërkombëtare me temë “Dialogu i Pragës mbi Evropën në shekullin e XXI-të”, e cila u hap sot në Pragë. Në takimin e organizuar nga Forumi Shoqëror Botëror “Dialogu i qytetërimeve” dhe organizata shoqërore çeke “Klub “Rusia” u mblodhën përfaqësuesit e elitave politike dhe shkencore evropiane, veprimtarë të bashkimeve shoqërore, organizatave të rinisë dhe bashkimeve fetare. Për disa ditë me radhë ata do të diskutojnë rrugët e bashkëveprimit të organizatave joqeveritare me shtetin, rolin e organizatave joqeveritare në rivendosjen e ekuilibrit social-ekonomik dhe stabilitetit në Evropë. Duket krejtësisht qartë se në këtë konferencë në Pragë do të propozohen shumë ide interesante dhe të dobishme, shprehet me bindje të plotë Drejtori i Institutit të Vlerësimeve Strategjike të Rusisë Sergei Oznibishjev. “Unë mendoj, se në këtë konferencë do të propozohen recetat e daljes nga kriza ekonomike botërore. Se cilat do të jenë ato na mbetet vetëm të presupozojmë, por, pa dyshim, ato do të jenë të argumentuara, sepse organizatat joqeveritare përfaqësojnë në vetvete komunitetin analitik ekspert. Dhe në të ardhmen, në qoftë se autoritetet do të shfaqin interesim ndaj këtyre apo atyre temave dhe ideve, ato do të mund të përpunohen në mënyrë më të thellë dhe të miratohen për realizim në jetë”, konkludon Sergei Oznobishjev.