Zëri i Rusisë Kundër zgjerimit të pakufijshëm të BE u shprehën të dielën që lamë pas Angela Merkel dhe Nikola Sarkozi. Liderët e vendeve-lokomotiva janë tej mase të shqetësuar. Ç’kuptim ka pranimi i pandërprerë i anëtarëve të rinj në dëm të aftësisë për funksionim dhe ekzistencë të BE? Evropa që nuk njeh kufij në zgjerimin e vet është një Evropë që nuk ka vlera, shprehet me bindje të plotë Presidenti francez. Nga ana e vet, Kancelarja e RFGj ua ëmbëlsoi disi pilulën e hidhur të gjithë atyre që ëndërrojnë me endje të madhe përfshirjen në BE: për ta do të jetë më se e mjaftueshme të jenë “partnerë të privilegjuar” të tij. I propozojmë vemendjes së vizitorëve të sajtit tonë komentin me këtë temë të vëzhguesit të “Zërit të Rusisë” Sergei Guk. Autori shkruan: Çdonjëri prej të 27 shteteve kërkon Eurokomisarin e vet si dhe statusin zyrtar për gjuhën kombëtare. E drejta e vetos bllokon marrjen e vendimeve, kurse Brukseli është i detyruar të bëjë lëshime e të ndërmarrë ujdi të fshehta në rreth të ngushtë në dëm të interesave të përgjithshme. Aleanca u shndërrua në robe të anëtarëve të veçantë të BE dhe përfaqëson në vetvete një shumë arithmetikore shtetesh-pjesëmarrëse dhe jo një organizëm unik të aftë për funksionim dhe ekzistencë. Solidariteti mbaron atje ku fillojnë të numërohen paratë. Tani edhe shtetet e pasura përpiqen më tepër të përfitojnë sa më shumë financa nga arka e përbashkët e BE, se sa të derdhin në të. Zgjedhjet e pritshme të qershorit për në Parlamentin Evropian do të bëhen në një farë mënyre ajo pasqyrë që do të shfaqë shembëlltyrën e qendrimit të evropianëve ndaj BE. Ndërsa tani për tani, sipas të dhënave të anketimit të zhvilluar nga “Eurobarometri”, pranë kutive të votimit kanë ndërmend të paraqitet më pak se 1/3 e popullsisë evropiane. Burrokratët e Brukselit i asociohen shumicës së evropianëve me sinekurën (postin që të sjell të ardhura të majme pa shumë mund e djersë) dhe dembelizmin, të ndenjurit kot pa punë, me uzurpimin e kompetencave kombëtare dhe tutelën pedante, minucioze. Njëkohësisht evropianët shfaqin pretendimet e veta edhe ndaj organeve pushtetore të BE për shkak të paaftësisë së tyre për të kundërvepruar në mënyrë efektive përkatësisht pasojave të krizës.