Pasionet dhe emocionet e atmosferës konkurruese do të ndizen në “Eurovision” vetëm më 12 maj në Moskë, kur të fillojë dëgjimi i parë i gjysëm finales. Ndërsa tani për tani pjesëmarrësit e konkursit po njihen me njëri-tjetrin dhe në kohën e lirë pas provave kanë mundësi të kënaqin syrin me bukuritë e kryeqytetit rus. Organizatorët e konkursit kanë përgatitur një program të larmishëm dhe shumë interesant kulturor për ta. Para së gjithash këtu mund të përmenden shëtitjet nëpër qytet me vizitimin e kurioziteteve dhe vendeve më interesante historiko-kulturore të tij: Kremlinit, Manastirit Novodjeviçij, kodrat Vorobjovie. Të gjitha ekskursionet për ekzekutuesit dhe personat që i shoqërojnë ata janë falas po ashtu si dhe udhëtimet me mjetet e transportit urban. Moti i ngrohtë pranveror stimulon, sigurisht, shëtitjet më këmbë. Idhullin grek Sakis Ruvas në promenadat e veta e shoqëron një grup impresionues adhuruesish të tij të rinj. “Mua më vjen jashtëzakonisht mirë të shoqërohem me ta. Unë gjeta në Internet bile dhe klubin rus të fansave të mi. Çdo herë kur vij në Moskë unë takohem jo vetëm me shokët e miqtë, por edhe me adhuruesit e mi. Gjëja më e mrekullueshme që mund të marrësh si dhuratë për krijimtarinë tënde është njohja nga admiruesit”, deklaroi këngëtari grek. Këngëtarja 17 vjeçare nga Islanda-Johana, e cila është një ndër më të rejat në konkurs, kërkoi ti tregojnë asaj Rusinë e vjetër me izbat e saj, jetën e përditshme, doket e zakonet e hershme ruse. Ajo bile provoi edhe një sarafan në muzeun-rezervat Kollomenskoe. Kurse pastaj ia mori këngës së vet duke futur në të edhe fjalë ruse. “Në mbrëmje, tha ajo, të gjithë ata, të cilëve u kanë mbetur ende fuqi pas provave dhe shëtitjeve, mblidhen në Shtëpinë Evropiane, që ndodhet mu në qendër të Moskës, në godinën historike të Manjezhit. Sipas traditës shumëvjeçare delegacionet e vendeve të ndryshme organizojnë atje mbrëmjet e veta. Ethet e vigjiljes së konkursit vijnë duke u shtuar. Organizatorët përpiqen të bëjnë gjithçka të mundur me qëllim që t’i krijojnë kushte sa më komforte jetese interpretuesve. Para së gjithash, ata kanë menduar mirë për ushqimin e tyre. Ai është gjithashtu falas për ta, ndërsa menca e stadiumit “Olimpijskij” funksionon gjatë 24 orëve. Menuja e gjellëve përzgjidhet në mënyrë të posaçme me marrjen parasysh të traditave të kuzhinës evropiane, por atje mund të provosh edhe kuzhinën tradicionale ruse. Dhe aty ke se ç’të zgjedhësh. Asortimenti i tyre është i shumëllojshëm. Ndërsa pijet në stadiumin “Olimpijskij” në ditët e konkursit do të jenë pa alkool…