Zëri i Rusisë Më 8 maj të vitit 2008 Duma Shtetërore miratoi kandidaturën e Vladimir Putinit për në postin e Kryetarit të qeverisë së Federatës ruse. Koha e kaluar nuk ishte aspak e lehtë për Kryetarin e kabinetit të ministrave. Ajo ishte e mbarsur me vështirësi mjaft serioze. Me kalimin e disa muajve pas formimit të qeverisë së re, ekonomia ruse filloi të ndjejë pasojat e krizës ekonomiko-financiaro botërore. Vladimir Putinit dhe ministrave iu desh të përpunonin në mënyrë urgjente masat për shpëtimin e ekonomisë, në fillim- sektorit bankar, i cili ndjeu i pari mbi vete tendencat negative, ndërsa më pas-kompleksit agroindustrial, atij të makinandërtimit dhe degëve të tjera. Masat e marra u shndërruan në planin antikrizë që u miratua nga qeveria në prill të këtij viti. Dokumenti në fjalë mund të quhet rezultat kryesor i veprimtarisë së kabinetit të ministrave për periudhën e kaluar. Dhe jo vetëm sepse në të u përfshinë vendimet dhe planet kryesore për stabilizimin dhe zhvillimin e ekonomisë, por edhe për vetë faktin se një dokument i tillë me përmasa kaq të gjera për herë të parë u përpunua në bashkëveprim të ngushtë me shoqërinë. Në të gjetën pasqyrimin e vet propozimet e partive politike dhe bashkimeve profesionale, organizatave shoqërore dhe autoriteteve rajonale. Drejtori i departamentit të Agjencisë së informacionit analitik “Rosbizneskonsallting” Aleksandër Jakovlev në intervistën e vet dhënë për radiokompaninë “Zëri i Rusisë”në mënyrë të tillë e karakterizoi veprimtarinë e qeverisë për kapërcimin e sprovave me të cilat u përballua vendi: “Mua më duket se, në tërësi, qeveria mori të gjitha masat e mundshme për amortizimin e kësaj krize. Kuptohet se puna nuk kaloi edhe pa gabime. U zhvillua jo me shumë sukses zhvlerësimi i rublës. Ne vumë re rënien e theksuar të vëllimit të rezervave valutore dhe atyre të arit. Shumë pikëpyetje shkaktuan planet për mbështetjen e ekonomisë, në veçanti, caktimi i mjeteve financiare për sektorin bankar dhe mbështetjen e tregut rus të fondeve. Sigurisht që shumë pyetje lindën edhe në lidhje me temën se si u shpenzuan mjetet e Fondit rezervë. Por nga ana tjetër, qeveria u gjend në cejtnot tejet të rreptë dhe asaj iu desh të vepronte shumë shpejt. Pavarësisht nga të gjitha këto, qeveria e Vladimir Putinit po ia del mbanë punës me të gjithë sfidat e krizës. Sipas vlerësimit të ekspertëve ndërkombëtarë, situata ekonomike në Rusi është më e kënaqshme se sa në shumicën e shteteve të tjera. Dhe ata parashikojnë se Rusia mund të dalë nga tronditjet e krizës me humbjet më të pakta. Kësaj duhet ti shtojmë se planet dhe premtimet fillestare të bëra nga Vladimir Putini një vit më parë po plotësohen në mënyre konsekuente. Kjo ka të bëjë me uljen e barrës tatimore për ekonominë, mbështetjen e degëve novatore dhe ndërmarrjeve strategjike, përpunimin e reformës së sigurimit të pensioneve, rritjen e nivelit të pensioneve. Vetë Vladimir Putin pranoi se i pëlqen puna që bën aktualisht, megjithëse nga rezultatet e saj varen shumë gjëra. Dhe në qoftë se si rezultat i kësaj njerëzit do të arrijnë të jetojnë pak më mirë, ky është shpërblimi më i mirë për mua, deklaroi Kryeministri.