Zëri i Rusisë Rusia nuk do të lejojë shtrembërimin e historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe atë të Fitores. Për këtë deklaroi në Kremlin Presidenti i Federatës Ruse Dimitri Medvediev në takimin me veteranët e Luftës së Madhe Patriotike — Heronj të Bashkimit Sovjetik. Kryetari i shtetit gjatë mesazhit të urimit drejtuar veteranëve me rastin e 64 vjetorit të Fitores konfirmoi, se Rusia do të reagojë gjithmonë ndaj përpjekjeve për shtrembërimin e thelbit të kësaj ngjarjeje. Sipas mendimit të tij, Lufta e Madhe Patriotike u bë ngjarja më e rëndësishme dhe më e vështirë e shekullit të kaluar. Prandaj shteti është i detyruar të kujdeset për ata që me çmimin e jetës së vet arritën Fitoren, theksoi Presidenti. “Ne, sigurisht, që do të vazhdojmë të merremi edhe më tej me problemet e veteranëve, dhe, natyrisht, me problemet e tyre sociale, ato të garantimit me ilaçe, me transport, me shërbim mjekësor, do të përpiqemi të zhvillojmë ndihmën mjekësore të bazuar mbi teknologjitë e larta. Të gjitha këto renditen ndër detyrat dhe detyrimet e shtetit dhe shteti do ti plotësojë të gjitha ato. Këtu nuk duhet të bëhet fjalë kurrësesi për kursim në çfarëdo periudhë të vështirë që të ndodhemi, në çfarëdolloj krizash, ndër të tjera edhe ekonomike, që do të përjetojë vendi ynë, bota mbarë. Medvediev kujtoi, se për 75 vjetët që kaluan nga dita e themelimit të titullit “Hero i Bashkimit Sovjetik” këtë dekoratë të lartë e kanë merituar më tepër se 13 mijë veta, dhe duhet theksuar këtu, se shumica e tyre- 11 mijë e 695- për vepra heroike në vitet e Luftës së Madhe Patriotike. Siç njoftoi Presidenti, para pak kohësh ai nënshkroi Dekretin mbi themelimin e medaljes jubilare “65 vjet të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike të viteve 1941-1945”. Me të do të dekorohen pjesëmarrësit dhe veteranët e luftës, të cilët jetojnë në Rusi dhe vendet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, si dhe qytetarët e shteteve të tjera që kanë dhënë kontributin e vet në arritjen e Fitores dhe që janë mbajtës të dekoratave shtetërore të Bashkimit Sovjetik ose Federatës Ruse. Në Rusi mund të krijohet organi ekzekutiv shtetëror për çështjet e veteranëve. Me një iniciativë të tillë doli Dhoma Shoqërore pranë Presidentit të Federatës Ruse.