Më 22 prill Ministri i financave i Rusisë Aleksei Kudrin, gjatë fjalës së marrë përpara senatorëve në Këshillin e Federatës, tha se mjetet e Fondit Rezervë të Rusisë do të mjaftojnë edhe për 2 vitet e afërta. Sipas mendimit të tij, fondi e plotësoi detyrën e vet duke mbështetur ekonominë e vendit gjatë kohës së krizës. Mbi këtë temë përsiatin ekspertët tanë.“Është e rëndësishme të kuptohet, se Aleksei Kudrin është Ministër i financave dhe detyra kryesore e tij, veçanërisht në kohën e krizës, konsiston në atë që të frenojë vrullin, yryshin e atyre që pretendojnë të përfitojnë nga financat e arkës shtetërore, vë në dukje vëzhguesi ekonomik Mihaill Berger. Kjo do ta ndihmojë atë që të zgjidhë detyrën e “ruajtjes së arkës” për të cilën dhe përgjigjet ai. Por, sipas fjalëve të Aleksei Kudrinit, financimi i projekteve të teknologjive të larta do të realizohet në vëllim të plotë. Kjo, për mendimin e tij, është shenjë e mirë në sfondin e zymtë të dukurive të krizës. Vërtet, kur financat e Fondit Rezervë, të cilin tek ne e kanë pagëzuar “jastëk sigurimi”, të shterrojnë, atëhere do të duhet t’i shtrijmë këmbët sipas jorganit. Kjo, sigurisht, që do të jetë e vështirë, por jo e pamundur, u shpreh Ministri rus i financave. Ndërsa tek eksperti kryesor i Institutit të Ekonomisë, prefesori Boris Shmeljov situata e përshkruar nga Akeksei Kudrini shkakton shqetësim serioz. “A mund të shpresohet vallë se Rusia do të arrijë të mbijetojë pa këtë “jastëk sigurimi”?, shtron pyetjen ai.- Është vështirë të thuhet. Sipas të gjitha parashikimeve, vendi ynë nuk do të dalë shpejt nga periudha e recesionit. Të paktën mund të pajtohesh me mendimin e Aleksei Kudrinit, se kushte të tilla të favorshme për rritjen ekonomike të vendit si ato që kemi patur për 7-8 vitet e fundit, nuk do të ketë tashmë për një kohë të gjatë. Por ne arritëm të mbijetojnë edhe në kohën e defolltit të vitit 1998, superuam edhe periudhën e bollëkut “të parave të fituara kollaj”, dhe, shpresoj shumë, se do të përballojmë edhe krizën e tanishme. Por, ndoshta do të na duhet të hyjmë përsëri në borxhe. Unë kam parasysh në këtë rast marrjen e huave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore”, konkludoi ai. Gazetari Mihaill Leontjev e hedh poshtë në mënyrë kategorike një perspektivë të tillë. “Unë nuk do të dëshiroja, sigurisht, aspak që të mbillja panik të madh në këtë rast, por vetëm se më duket se unë nuk nuk arrij të kuptoj dot një gjë këtu, dhe, pikërisht atë, se kreditorët tanë ndodhen tani në një gjendje jo më të mirë se Rusia, por më të keqe, duhet thënë!, shprehet me indinjatë ai. E si mund të jemi ne atëhere huamarrës të tyre? Ne do të ishim idiotë në qoftë se do të merrnim “letrën e prerë” në pamjen e dollarëve dhe të jepnim në këmbim të kësaj pasuritë tona. Duhet, dhe për këtë unë jam mëse i bindur, të ndryshojmë strategjinë e zhvillimit ekonomik të Rusisë, duke u mbështetur në tregun e brendshëm. Në qoftë se ne do t’i harxhojmë në vitin 2010 gjithë financat e Fondit Rezervë, kjo do të thotë se do të duhet të jetojmë njëfarë kohe pa të, ashtu siç kemi jetuar dhe më parë, ndërsa pastaj do të grumbullojmë akoma dhe më shumë para. Kryesore është që të dalim nga kriza me një ekonomi të re, me një industri tjetër të ndërtuar mbi bazë të teknologjive më moderne!