Në vigjilje të Festës së Ndritur të Ngjalljes së Krishtit Mitropoliti i Krutickit dhe Kollomenskut Juvenali, i cili kryeson Peshkopatën e Moskës, sipas traditës, iu drejtua me urimet e rastit dëgjuesve të “Zërit të Rusisë”. Në mesazhin e tij prej bariu shpirtëror Mitropoliti u kujtoi të krishterëve mbi detyrimet e veta për tu marrë me edukimin e fëmijëve dhe për të mbjellë në zemrat e tyre farën e dashurisë. “Mbi ne, të krishterët orthodhoksë, bie përgjegjësia e plotësimit të misionit për t’i dorëzuar thesaret e fesë sonë brezit të ri dhe që nëpërmjet bekimit Ungjillor të mbjellim e të kultivojmë në zemrat e njerëzve dashurinë për Zotin dhe të afërmit, t’i ndihmojmë ata që t’i shmangen mëkatit dhe veseve. Mosha fëminore përvetëson, thith si sfungjer, atë që i thonë. Dhe si vula e dyllit në shpirtin e fëmijëve lënë gjurmë ato fjalë që ai dëgjon, kujton fjalët e Joan Gojëartit Mitropoliti Juvenali. Prandaj në qoftë se do t’i distancojmë ata nga vesi i keq, nga mëkati dhe do t’i drejtojmë në rrugë të mirë, atëhere në të ardhmen ata me vullnetin e tyre do t’i largohen të keqes, sepse shprehia e fituar në fëmijëri do ta shtyjë atë për të bërë punë të mira. Metoda më e mirë e edukimit të fëmijës është shembulli personal”, thotë ai. Drejtuesi i Peshkopatës së Moskës, Mitropoliti Juvenali, duke iu drejtuar dëgjuesve të “Zërit të Rusisë” me mesazhin e vet të urimit me rastin e Festës së Ndritur të Ngjalljes së Krishtit kujton fjalët e apostullit Jakov mbi atë, se besimi i papërforcuar me punë të mira është i vdekur. Dhe në qoftë se në kushtet kur i nënshtrohemi sprovave ne ngandonjëherë nuk kemi mundësi materiale për të ndihmuar nevojtarin, bile edhe duke qenë vetë të vobektë ne gjithmonë mund ta inkurajojmë njeriun i cili ka humbur besimin në jetë, ta ngushëllojmë atë, ta ngrohim shpirtërisht dhe ta mbështesim me fjalën e mirë, thotë Mitropoliti Juvenali. “Na faltë neve Zoti mirësitë e veta të mëdha pakufi dhe na frymëzoftë që me zemër të pastër t’i thurim lavdi Ngjalljes së Tij të shenjtë e shpëtimtare!” Me këto fjalë përfundoi mesazhin e vet të urimit drejtuar dëgjuesve të Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Mitropoliti i Krutickit dhe Kollomenskut Juvenali, drejtuesi i Peshkopatës së Moskës.