Problemet e luftës kundër kriminalitetit të organizuar transnacional, trafikimit të qenieve njerëzore dhe qarkullimit ilegal të drogës po diskutojnë sot në Moskë Prokurorët e Përgjithshëm të shteteve pjesëmarrëse të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSH). Në punimet e mbledhjes, e cila po zhvillohet nën kryesinë e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë Juri Çaika, marrin pjesë krerët e prokurorive të Kazakistanit, Kirgizisë, Taxhikistanit, Uzbekistanit dhe Kinës. Duke marrë fjalën në takimin në fjalë Juri Çaika deklaroi, se lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe separatizmit është drejtim prioritar në bashkëpunimin e organeve të ruajtjes së rendit të vendeve të OBSH. Në këtë mënyrë ai mbështeti pozitën e kolegut të vet kinez, i cili i quajti këto 3 forca si rreziqet kryesore që i kanosen sigurimit dhe stabilitetit të vendeve të kësaj Organizate ndërkombëtare. Një alarmim të veçantë shkaktojnë përpjekjet që ndërmerren nga disa qendra të huaja për të rrënjosur në Rusi rryma radikale fetare, të cilat me kalimin e kohës shndërrohen në armë në duart e organizatave ekstremiste, vë në dukje Juri Çaika. Në lidhje me këtë ai kujtoi, se pak kohë më parë me rekomandimin e Prokurorisë së Përgjithshme të Rusisë Gjykata e Lartë e Federatës Ruse e shpalli organizatë ekstremiste “Nur Xhullar-in”, degët (filialet) e së cilës vepronin në territorin e Federatës Ruse. U provua me fakte, se kjo organizatë i ka vënë si qëllim vetes krijimin e shtetit botëror islamik. Një vemendje e veçantë gjatë takimit të Moskës iu kushtua problemeve të Afganistanit, i cili ka kufi me vendet anëtare të OBSH. Sepse pikërisht prej andej dhe vjen rreziku kryesor kërcënues për stabilitetin rajonal, para së gjithash, në planin e rritjes së intensitetit të narkotrafikut, i cili nga ana e vet siguron mjetet financiare për llojet e tjera të kriminalitetit të organizuar dhe terrorizmin ndërkombëtar. Në Moskë në fund të marsit u zhvillua konferenca përfaqësuese nën drejtimin e OBSH, kushtuar pikërisht problemeve të rregullimit të situatës në Afganistan. Në të Kreu i MPJ i Rusisë Sergei Lavrov bëri thirrje për të zhvilluar më aktivisht bashkëpunimin rajonal në luftën kundër rreziqeve që vijnë nga territori i Afganistanit. “Është plotësisht e natyrshme që OBSH, e cila bashkon në radhët e veta praktikisht të gjitha vendet fqinje të Afganistanit, nuk mbeti mënjanë pjesëmarrjes në përpjekjet kolektive. Për disa vite në kuadrin e grupit të kontaktit OBSH-Afganistan po shqyrtohen detyrat e zhvillimit të bashkëpunimit kolektiv në luftën kundër rreziqeve të përbashkëta, ndër të tjera edhe përgjatë perimetrit të kufijve afganë. Pikërisht në këtë brazdë nëpërmjet punës së përbashkët me Kabulin, dhe jo për llogari të krijimit të ndofarë kordonesh sanitare të OBSH dhe Organizatës së Traktatit mbi Sigurimin Kolektiv, propozohet krijimi i brezit të sigurimit antidrogë, antiterrorist dhe financiar në rajon. Ky propozim është vënë në rrafsh praktik në deklaratën dhe planin e veprimeve të grupit të kontaktit OBSH-Afganistan, vuri në dukje Kreu i MPJ i Rusisë Sergei Lavrov. Prokurorët e Përgjithshëm të vendeve anëtare të OBSH po diskutojnë gjithashtu edhe realitetet e reja në ekonominë globale dhe ndikimin e tyre në gjendjen e luftës kundër kriminalitetit.