Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev falenderoi Kryeministrin e Britanisë së Madhe Gordon Braun për sigurimin e kushteve të mira të punës në samitin e “G-20”. Kjo krijoi mundësinë për të miratuar një deklaratë konkrete të mbushur me përmbajtje, tha ai, gjatë fjalës së mbajtur në shkollën ekonomike të Londrës. Ajo është një nga institucionet arsimore më të prestigjshme në botë. Në vite të ndryshme të diplomuar të kësaj shkolle kanë qenë dramaturgu Bernard Shou, matematikani dhe filozofi Bertran Rassel. Të diplomuarit e kësaj shkolle ushtrojnë një ndikim të madh në jetën ekonomike dhe politike në mbarë botën. Kështu që nuk është për tu habitur aspak nga fakti se Presidenti i Rusisë shkoi pikërisht atje pas përfundimit të samitit. Sipas fjalëve të tij, samiti doli i suksesshëm, megjithëse është ende herët të flitet për rimëkëmbjen e menjëhershme të ekonomisë botërore. Por bile edhe në një situatë të tillë të vështirë, vuri në dukje Presidenti rus, është e palejueshme shkelja e rregullave të lojës. “Në situatën e tanishme neve na duhen, pa dyshim, parimet për zhvillimin e një loje të drejtë, të cilat parashikojnë edhe luftën e ndershme për fitore pa shfrytëzimin e gjithëfarë metodave të palejueshme. Ai doping, që përftohet gjatë përdorimit të masave protekcioniste, vepron për një kohë jo të gjatë, dhe çon, në fund të fundit, në lindjen e problemeve po tilla si ato që i sjell dopingu sportistëve, të cilët nuk bëjnë dot më pa përdorimin e medikamenteve”, u shpreh Dimitri Medvediev. Më pas, duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve, Presidenti rus preku një sërë problemesh ndërkombëtare. Fjalë u bë mbi zgjerimin e NATO-s, problemin e dislokimit të sistemit amerikan të mbrojtjes antiraket në Evropë, dhe, bile mbi Gjeorgjinë, ndër të tjera për qendrimin ndaj Presidentit të saj Mihaill Saakashvili pas luftës së gushtit në Kaukaz. “Unë mendoj, tha Dimitri Medvediev, se ju e kuptoni fort mirë se veprimet ushtarake nuk i kanë shërbyer kurrë forcimit të shtetit. Për gabimet e një njeriu e pagoi rëndë një numër shumë i madh njerëzish. Po e përsëris edhe një herë, se ne e duam dhe e vlerësojmë shumë popullin gjeorgjian. Por unë nuk dëshiroj të kem kurrëfarë marrëdhëniesh me Saakashvilin dhe nuk do të komunikoj fare me të. Por në qoftë se si rezultat i proceseve demokratike do të ndryshojë pushteti në Gjeorgji, ne jemi të hapur për të diskutuar çfarëdolloj temash”. Sipas traditës Presidentit rus iu drejtua pyetja që kishte të bënte me marrëdhëniet e tij me Kryeministrin Vladimir Putin. “Presidenti merr vendimet në lidhje me të gjitha problemet kyçe dhe mbi të bie përgjegjësia finale për gjithçka që ndodh. Për sa i përket Vladimir Putinit, ai është kolegu im. Ne kemi marrëdhënie të mira miqësore. Aktualisht Vladimir Putin kryeson qeverinë. Kjo është gjithashtu një punë tejet e vështirë, veçanërisht në periudhën e krizës. Unë mendoj, se në kuptimin e punës kolektive, ne ia dalim për mrekulli në krye detyrave së bashku, vuri në dukje Dimitri Medvediev. Para se t’u linte lamtumirën studentëve, Dimitri Medvediev citoi fjalët e të diplomuarit të shkollës ekonomike londineze, Bernard Shout, mbi atë, se vetëm personat e dobët qahen nga rrethanat, ndërsa njerëzit e fortë i krijojnë vetë ato.