Tubacioni i “Gazprom-it” do të marrë drejtimin nga Lindja. Dhe kjo nuk është aspak utopi. Në sfondin e rreziqeve në rritje që i kanosen transitit të gazit rus në Evropë Rusia po fillon të korrektojë në mënyrë të qenësishme balancën e politikës së vet të eksportit. Të enjten përfundoi në Moskë raundi i radhës i negociatave me Republikën e Koresë mbi furnizimet e gazit natyror. Vëzhguesi i “Zërit të Rusisë” Konstantin Garigov komenton në materialin e vet përfundimet e tyre. Tubacionet e “Gazprom-it”, shkruan ai, do të arrijnë patjetër deri në Korenë e Jugut, po ashtu si edhe deri në Kinë. Vendimet në nivelin më të lartë politik tashmë janë bashkërenditur e miratuar. Tani palët po merren me realizimin e tyre në jetë. Dhe duhet thënë këtu se kriza financiare nuk është aspak pengesë për këtë. Pas 1-2 javësh Rusia dhe Kina, siç pritet, duhet të afrojnë në mënyrë të ndjeshme pozitat e tyre përkatësisht çmimit të gazit rus. Në rast arritje suksesi ai nëpëmjet tubacioneve do të arrijë në Kinë tashmë që në vitin 2013. Një muaj më parë Presidenti i Koresë së Jugut Li Men Bak në rezidencën e vet iu lut personalisht Zëvendës ministrit të punëve të jashtme të Rusisë Igor Sieçin që Rusia t’i rikthehet shqyrtimit të çështjes së shtrimit të gazsjellësit. Bisedimet e mbrëmshme në Moskë janë një hap konkret në këtë drejtim. E rëndësishme është se as njërën dhe as tjetrën palë nuk e ndalojnë dot rreziqet e njohura ekzistuese politike në Gadishullin e Koresë. Në qoftë se për shkak të tensionit që ruhet midis Seulit dhe Phenianit nuk do të mund të realizohet shtrimi i tubacionit nëpër territorin e RPD të Koresë, ai do të shtrohet megjithatë nëpër fundin e detit. Për më tepër se Rusia tashmë ka një përvojë të pasur në këtë punë. Ajo është e nevojshme gjatë shtrimit të gazsjellësve nëpër fundin e Detit Balltik dhe Detit të Zi. Negociatat për fillimin e realizimit në jetë të njërit prej tyre -“Rryma Jugore”- po i zhvillojnë sot specialistët rusë të sferës së gazit me partnerët e tyre strategjikë nga Italia. Moskën po e shqetësojnë gjithnjë e më tepër rreziqet që lindin gjatë furnizimeve të gazit rus në Evropë nëpërmjet territorit të Ukrainës. Gjatë kësaj, pavarësisht nga bllokada e gazit që iu bë Evropës nga ana e Kievit në janar të këtij viti, BE, megjithëse kjo i shkaktonte dëm interesave të tij të sigurimit energjetik, faktikisht, i mbajti ison Ukrainës në lojrat e saj antiruse. Ekspertja ruse e Institutit të Studimeve Energjetike (Rusi) Tatjana Mitrova shpreh mendimin se në praktikën botërore ndodh më shpesh kështu që gazi shkon megjithatë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga prodhuesi tek konsumatori. Dhe në qoftë se në këtë proces ingranohen vendet transitore, si rregull, ato dallohen për një disiplinë të lartë. Askujt nuk i shkon ndërmend të shfrytëzojë gazin e huaj pa e paguar paraprakisht atë, ose të përvetësojë, në përgjithësi, gazin nga gazsjellësi siç e ka praktikuar një gjë të tillë gjatë shumë viteve me radhë Ukraina. Në këtë kuptim Ukraina bën përjashtim në rang mbarëbotëror. Në kuadrin e zhvillimit të politikës së eksportit në drejtimin “lindor” “Gazprom-i” do të orientojë nga Lindja jo vetëm tubacionet e gazit natyror. Gazi i parë i lëngëzuar rus nga Sahalini filloi tashmë të furnizohet në Japoni. Radhën pas saj e kanë zënë Koreja e Jugut dhe SHBA-s. Në veriperëndim të Rusisë do të ndërtohet edhe një uzinë tjetër për prodhimin e gazit të lëngëzuar. Blerësja e tij tashmë ekziston. Kjo është Amerika e Veriut. Rusia po diversifikon tregjet e veta duke u munduar të shmangë gjatë kësaj rreziqet e reja politike dhe duke marrë parasysh përvojën e hidhur me Ukrainën në rolin e vendit transitor. Ndërsa Evropa duhet t’i vërë gishtin kokës e të mendohet mirë.