Siç deklaroi të mërkurën, më 1 prill, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaan de Hoop Sheffer, “Shqipëria dhe Kroacia përfunduan procesin e pranimit dhe  bashkimit me Aleancën si anëtare të saj”. Sipas rregullave ekzistuese në NATO, pranimi në të i vendeve të reja bëhet fakt i kryer në momentin e dorëzimit nga ambasadorët e shteteve përkatëse të dokumenteve  zyrtare  në Uashington, që  ruhen në arkivat depozituese të Aleancës. Për sa i përket Shqipërisë dhe Kroacisë, në procedurën e dorëzimit të dokumentave mori pjesë Zëvendës sekretari  amerikan i shtetit Xhejms Stejnberg. Pjotër Iskenderov, vëzhguesi i radiostacionit “Zëri i Rusisë”, komenton këtë fak si vijon. Pas asaj kur në prill të vitit 2008 në Samitin në Bukuresht 26 vendet anëtare të NATO-s morën vendimin principial për të ftuar në radhët e veta këto dy vende të reja ballkanike, zor se ndokush do të mund të vinte në dyshim zbatimin e mëtejshëm të të gjitha procedurave juridike. Por puna këtu nuk qëndron vetëm në atë se, siç deklaroi Sekretari i shtypit i Aleancës VeriAtlantike Xhejms Appaturaj, Tirana dhe Zagrebi  “kanë punuar shumë” për arritjen e standarteve politike dhe ushtarake të NATO-s dhe “kapërcyen pasojat e ngjarjeve të paradokohshme në Ballkan”. Thjesht, në situatën e tanishme të ndërlikuar në NATO, e cila po përjeton periudhën e rikonceptimit të rolit të vet dhe zgjerimit të operacioneve jashtë zonës së përgjegjësisë së saj, rishikimi i vendimeve të marra më parë do të mund të jepte një  goditje të pandreqshme mbi autoritetin politik të Aleancës VeriAtlantike, ndër të tjera edhe në Ballkan. Është më se evidente se kjo kuptohej mjaft mirë jo vetëm nga gjeneralët dhe funkcionarët në selinë e NATO-s në Bruksel, por edhe nga parlamentarët e të gjitha vendeve anëtare të vjetra të NATO-s, të cilat gjatë vitit të fundit ratifikuan protokollet për hyrjen e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Për më tepër se pranimi i këtyre dy shteteve u realizua në kuadrin e Samitit jubilar të Aleancës e cila po kremton 60 vjetorin e vet. Duke komentuar këtë eveniment të shënuar, Jaan de Hoop Sheffer, që po  largohet tashmë nga post i vet, deklaroi për Tiranën dhe Zagrebin, se “tani ato si aleate të barabarta do të marrin pjesë në marrjen e vendimeve në NATO, do të mbajnë përgjegjësi të përbashkët për sigurimin kolektiv”. Dhe një konstatim i tillë përmban në vetvete shumë më tepër sfida dhe detyra për këto vende të reja anëtare, se sa njohje të meritave të tyre. Shqipëria dhe Kroacia hynë në NATO në një periudhë aspak të thjeshtë për Ballkanin. Në këtë rajon, si dhe më parë, vazhdojnë të ruhen vatra të nxehta konfiktesh të rrezikshme duke filluar që nga Kosova, ku janë dislokuar mijëra paqeruajtës të NATO-s, e deri tek Maqedonia, Serbia e Jugut, Bosnjë e Hercegovina, të gatshme për tu bërë në çdo moment arena përplasjesh të tjera të reja ndëretnike. Dhe në këto kushte nga politikanët shqiptarë, dhe duam të theksojmë këtu se jo vetëm ata që ndodhet aktualisht në pushtet, por edhe ata të cilët nxjerrin nëpër rrugët e qyteteve mijëra njerëz nën parrullat antiqeveritare dhe ekstremiste, do të kërkohet një qëndrim krejtësisht tjetër ndaj problemeve ballkanike. Anëtarësia në NATO nuk pajtohet kurrësesi me përkrahjen e forcave nacionaliste në shtetet fqinje, aq më tepër tani kur Aleanca VeriAtlantike po riorienton vëmendjen e vet nga Ballkani tek Afganistani, Sudani dhe rajone të tjera të mbarsura më konflikte përtej kufijve të Evropës. Shpërthimet e reja të konflikteve në vendet ballkanike nuk i duhet aspak Brukselit. Kështu që mund të presupozohet, se pikërisht Shqipërisë dhe Kroacisë do t’i ngarkohet roli politik për qetësimin e gjakrave të ndezura në rajonin e vet dhe vendosja e bashkëpunimit midis kundërshtarëve dhe antagonistëve të paradokohshëm. Nga ajo se me ç’sukses do të arrijnë t’i perceptojnë këto funksione politikanët dhe funksionarët shtetërorë shqiptarë, ndërsa, më kryesorja, t’i realizojnë ato në jetë, dhe do të varet gjetja e vendit të tyre të vërtetë në NATO. Kurse dorëzimi i dokumenteve në arkivën depozituese të Aleancës është vetëm hapi i parë, shumë i vogël, në rrugën e gjatë që duhet përshkuar.