Muaji shkurt është për adhuruesit rusë të xhazit kohë e kënaqjes me, si i thonë fjalës, “ajkën” e kësaj gjinie muzikore. Yjet botërorë tradicionalisht mblidhen në këtë kohë në kryeqytetin rus për pjesëmarrje në festivalin “Triumfi i xhazit”. Xhazmeni më me popullaritet në Rusi, saksofonisti Igor Butman, e organizon vazhdimisht tashmë që prej 10 vjetësh “Triunfin e xhazit”. Muzikanti dhe producenti e pranon edhe vetë se çdoherë përpiqet të “sigurojë” për pjesëmarrje në të korifenjtë e xhazit botëror. Këtë vit në Moskë u prit me padurim debutimi i pianistit legjendar amerikan Ahmad Xhamal së bashku me trion e tij. Sallat e festivalit janë përherë të mbushura plot e përplot dhe kjo gjë e gëzon në mënyrë të veçantë Igor Butmanin. Sepse ky fakt do të thotë se popullariteti që gëzon muzika e xhazit në Rusi mbetet, si dhe më parë, mjaft i madh. Muzikanti merr pjesë në programet e festivalit së bashku me big-bendin e vet. Rrjedhimisht, ai është ithtar i rrymës mejn- strim të xhazit, por megjithatë është mëse i bindur se interesimi i madh që shfaqet ndaj koncerteve është,në radhë të parë, rezultat i shumëllojshmërisë së stileve të propozuara prej pjesëmarrësve të festivalit. Xhazi preferohet nga një numër i madh njerëzish. Dhe një gjë të tillë mua ma shprehin shpesh herë. “Mendoj, se xhazi është muzikë për të gjithë, vetëm se tani për tani jo të tërë e kanë zbuluar për veten e vet atë, vë në dukje Igor Butman. “Xhazi është mjaft tërheqës dhe shumanësh. Unë për vete provoj një kënaqësi të jashtëzakonshme kur dëgjoj muzikantë të mirë xhazi dhe dëshiroj shumë që këtë kënaqësi ta shijojnë edhe njerëz të tjerë. Por unë e bëj një gjë të tillë jo vetëm që të popullarizoj xhazin. Për muzikantët është tejet e rëndësishme që të njihen me njëri-tjetrin dhe të këmbejnë më pas përshtypjet e veta. Edhe për publikun është interesante të dëgjojë muzikantë të ndryshëm”, shprehet ai. Xhazin kontemporan në festival e paraqiti trombisti aktualisht tepër në “modë” nga Nju Jorku Kristian Skott dhe kuinteti i veglave elektro-muzikore. Mjeshtri i madh i xhazit rus, pjanisti dhe kompozitori Andrei Kondakov në festivalin “Triumfi i xhazit” debutoi në koncertet e tij me grupin “Brazil All Stars”. Pothuajse 10 vjet më parë Andrej Kondakov u bë, si të thuash, “pre” e magjisë së bossa-novës klasike. Tani kompozon vetëm në këtë stil, kurse në festival prezantoi projektin e vet të ri së bashku me muzikantët brazilianë.