Kriza ekonomike botërore bëri korrektimet e veta në zhvillimin e degës turistike të Rusisë. Në fund të vitit 2008 numri i qytetarëve rusë që preferojnë t’i kalojnë pushimet jashtë shtetit u reduktua në mënyrë të konsiderueshme. Mdër liderët përkatësisht rënies së kërkesës u renditën Tailanda, Egjipti, Lidhja e Shteteve Arabe dhe Çekia. Rënia e kërkesës për vizitimin e këtyre vendeve i tejkaloi të 20%. Njëkohësisht po vjen duke u rritur numri i qytetarëve rusë të cilët preferojnë pushimet më pak të kushtueshme në vendin e vet se sa ato jashtë shtetit. Kriza favorizon dhe aktivizon zhvillimin e turizmit të brendshëm në mbarë botën, mendon kreu i Agjencisë Federale ruse të Turizmit Anatoli Jaroçkin. “Në këto kushte, për mendimin tonë, thotë ai, zhvillimi i turizmit të brendshëm duket shumë më aktual, dhe duhet thënë këtu jo vetëm në Federatën Ruse, por edhe në mjaft vende të tjera të botës. Ne kemi biseduar edhe me kolegët tanë nga shtete të ndryshme dhe, praktikisht, të gjithë ata parashikojnë rritjen e turizmit të brendshëm. Sipas vlerësimeve eksperte, shifra e turizmit të brendshëm në Rusi për vitin 2008 përbëri 30 milionë e 300 mijë veta. Kjo shifër është 6% më e lartë se ajo e vitit 2007. Këtë vit rritja e saj do të jetë akoma dhe më e qenësishme”, shprehet me bindje Kreu i Agjencisë Federale ruse të Turizmit. “Zgjedhja e bërë në favor të zhvillimit të turizmit të brendshëm parashikon zgjerimin e infrastrukturës turistike, rritjen e numrit të hoteleve dhe cilësisë e kulturës së shërbimit. Dhe në këtë drejtim po bëhet jo pak” thotë Anatoli Jaroçkin. “Vitin e kaluar në Federatën Ruse u vunë në shfrytëzim rreth 600 hotele dhe objekte të tjera për akomodimin e turistëve me 44 mijë vende. Kjo shifër nuk është aspak e keqe. Ndërsa këtë vit, në veçanti, do të fillojë të funksionojë një kompleks i madh nën Tobolsk i quajtur “Aballak”. Ai paraqet në vetvete një kompleks turistiko-argëtues me arkitekturë mjaft origjinale. Ai po ndërtohet me dru kedri. Një zhvillim tepër aktiv i infrastrukturës turistike pritet në kryeqytetin e Olimpiadës Dimërore të vitit 2014 - Soçi dhe qytete të tjera jugore ruse, pra, në vendet tradicionale të pushimeve verore të qytetarëve rusë. Në një kohë të afërt planifikohet gjithashtu inagurimi i segmentit të parë të kompleksit të skive malore “Manzherok” në Republikën e Altait dhe segmentit të dytë të rrugës për ngjitje alpinistike me litarë në malin Elbrus në Kabardino-Ballkari”, tregon ai. Ndërkohë Anatoli Jaroçkin nuk e mohon aspak ndikimin negativ të krizës ekonomike botërore në degën turistike të Rusisë. Që nga fundi i nëntorit për shkak të vështirësive financiare vërehet reduktimi i numrit të agjencive turistike. Por drejtuesi i Agjencisë Federale Turistike të Rusisë është i bindur, se do të zhduken vetëm jo profesionalët, ndërsa kompanitë e sigurta që punojnë me efektivitet jo vetëm që do të mbijetojnë, por edhe do të forcojnë pozitat e veta.