Rusia propozon një organizim të ri më të drejtë të sistemit financiar ndërkombëtar. Situata në ekonominë botërore nuk duhet të “konservohet” në atë pamje në të cilën ekziston sot, por duhet avancuar përpara. Presidenti i Rusisë Dimitri Medvediev u shpreh për këtë në intervistën e vet, dhënë kanalit të parë televiziv rus. Thelbi i propozimeve të Moskës konsiston në domosdoshmërinë e krijimit të mekanizmave ndërkombëtarë të kontrollit. Siç shpjegoi Dimitri Medvediev, ata duhen për atë, që problemet financiare të njërit vend të mos ushtrojnë ndikim mbi mbarë botën. Sepse pikërisht ky dhe u bë shkaku i  fillimit të krizës  së tanishme. Kreditë hipotekore që ishin emetuar në një shtet në vëllime kolosale, krijuan, sipas fjalëve të Presidentit, efektin e reaksionit zinxhir, nga më të rëndët. Rezultatet e veprimeve të pamenduara u shfaqën në gjithë ekonominë botërore. Që një gjë e tillë të mos përsëritet më kurrë, duhet të vendoset një kontroll i rreptë ndaj trguesve  makroekonomikë të vendeve që ndikojnë në situatën e përgjithshme financiare botërore. Lidhur me këtë lideri i Rusisë theksoi rëndësinë e kontrollit, dhënies së llogarisë organeve më të larta. Sipas mendimit të tij, në këtë fushë duhen rregulla të qarta dhe të drejta, dhe ato duhet ti kënaqin të gjitha vendet, dhe jo vetëm një grup të veçantë shtetesh të zhvilluara. Kanë nevojë për reformim, sipas fjalëve të Medvedievit, edhe organizatat financiare ndërkombëtare. Kriza e tanishme tregoi se veprimtaria e tyre nuk është kurrësesi ideale, edhe e Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe e Bankës Botërore, edhe ajo e strukturave të tjera. Domethënë, kjo veprimtari duhet të  riorganizohet dhe të bëhet më e drejtë ndaj atyre shteteve, të cilat pak kohë më parë janë shndërruar në ekonomitë më të mëdha në zhvillim. Unë kam parasysh këtu edhe Rusinë, edhe vende të tjera, theksoi Presidenti. Masat që propozohen nga Moska drejtohen për krijimin e akitekturës, e cila është e orientuar për shekullin e 21-të, por nuk riprodhon sistemin e periudhës së pasluftës. Presidenti shfaqi shpresën se kjo pozitë do të gjejë jehonë në Londër, në forumin e 20 ekonomive më të mëdha të botës. Sipas mendimit të liderit të Rusisë, në takimin e grupit të “20-es” në prill duhet të formulohen dhe të bashkërenditen pozitat kryesore. Ndërsa kjo punë e mëtejshme në nivel ekspertësh, udhëheqësish të ministrive dhe dikastereve do të çojë në krijimin e një vargu të tërë konventash të reja ndërkombëtare . Në qoftë se kjo nuk do të bëhet tani, atëherë me probleme të ngjashme me krizën e tanishme, bota do të ndeshet një herë në çdo 10-15 vjetë, në mos çdo vit, shprehet me bindje të plotë Dimitri Medvediev.